Veliaj fiton sërish në Tiranën: mund Ramën në Kushtetuese!

Erion Velaj ka fituar betejën e parë ligjore, jo me SPAK-un që e ka futur pas hekurave por me qeverinë, më saktë me Ramën, i cili kërkoi politikisht shkarkimin e tij si kryebashkiak për t’u hapur rrugë një emri të ri për Tiranën, që do ishte Ogerta Manastirlliu.
Dy ditë pas një paraqitjeje në Kushtetuese, duke kundërshtuar fort dekretin e presidentit, pra shkarkimin e tij nga Këshilli Bashkiak, Veliaj i gëzohet vendimit pro tij. Pra, ai vijon të jetë kryebashkiak i Tiranës, edhe pse i burgosur dhe me akuza jo të pakta ndaj tij, plot 13 sosh.
Më konkretisht, me pesë vota pro dhe tre kundër, Kushtetuesja i dhanë të drejtë Veliajt që të vijojë drejtimin e Bashkisë së Tiranës.
Kundër kërkesës së Veliajt ka votuar vetë Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj, si dhe anëtarët Sonila Bejtja e Gent Ibrahimi, ndërsa pro kanë votuar Sandër Beci, Ilir Toska, Fiona Papajorgji, Marsida Xhaferllari dhe Mariana Semini.
Pas vendimit, avokati i Veliajt, Arbër Hoxha, tha:
“Ishte i parashikuar ky vendim i Gjykatës Kushtetuese dhe ishte i pritshëm. Për fatin e mirë të zotit Veliajt, Gjykata Kushtuese realizoi pritshmëritë e juristëve duke u ngritur në lartësinë e juristëve, duke treguar integritet dhe duke vendosur legjitimitetin e ligjshmërinë në rastin e zotit Veliaj”.
Pra, në fundjavë Tirana nuk shkon në zgjedhje të pjesshme siç disa bashki të tjera, ku veçojnë Vlora e Berati. Kjo do të thotë se si për Manastirlliun e si për Binajn, fushata nuk vlen. /tesheshi.com/