Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se synimi i PD-së është hapja drejt të rinjve që do t’i afrohen partisë.
Në fjalën e tij gjatë mbledhjes së Kryesisë, Berisha tha ky synim mund të realizohet lehtësisht dhe për këtë u kërkoi demokratëve të gjejnë njerëz me vlera që t’i bashkohen PD-së.
“Çështje tjetër themelore. Është çështja e hapjes së PD. Tani nëse ne nuk hapemi, nuk faktojmë para anëtarëve dhe mbështetësve tanë vullnetin e hekurt për tu hapur, vullnetin e hekurt për një imazh të ri, vullnetin e hekurt për një ripërtëritje të fortë ne nuk mund të motivojmë njeri. Jo, të ua themi këtu.
Prandaj ju zotërinj, secili nga ju, secili nga ata që bashkëpunon me ju, të bëjë ‘hand hunting’, të kërkojë të gjejë njerëz, vlera. Unë përpiqem, por sado këtë objektiv nuk e realizoj dot.
Ky objektiv realizohet kur secili nga ju, secili deputet, drejtues i PD, anëtar kryesie në rrethe, të ofrojë vlera. Është jetike, janë jetike si ajri për ne.
Ne nuk jemi në pushtet, siç bën ai që rekruton njerëz me 100 flamuj dhe i paraqet si ripërtëritje. Jo ne duhet të afrojmë idealistë, njerëz me vlera që pranojnë dhe në opozitë që të përballen me këtë të keqe të madhe.
Por një gjë duhet ta dimë se, asgjë nuk do të përcaktojë më shumë fatin dhe të ardhmen tonë se sa një ripërtëritje e fuqishme e kësaj force politike, në mënyrë që me mjetet e kryengritjes paqësore, protestave të fuqishme, këtij shteti që shkërmoqet ti japim duart, ta çojmë atje ku e meriton. Punë të përqendruar tek ripërtëritja, tek të rinjtë”,-tha Berisha.
PD synon angazhimin e të rinjve/ Berisha: Gjeni njerëz me vlera dhe sillini
