OKB ngre alarmin/ Pabarazitë dhe pandemitë po ushqejnë njëra-tjetrën, ja pasojat

Pabarazia e lartë e bën botën të ndjeshme ndaj pandemive dhe krijon një cikël vicioz që vë në rrezik shëndetin publik dhe ekonomitë. Ky shqetësim u ngrit këtë përmes raportit më të ri nga Kombet e Bashkuara.
Gjetjet u bazuan në dy vjet kërkime nga Këshilli Global për Pabarazinë, AIDS-in dhe Pandemitë, i mbledhur nga UNAIDS, dhe u botuan në një raport të lëshuar përpara takimeve të udhëheqësve të G20 në Afrikën e Jugut këtë muaj.
“Nivelet e larta të pabarazisë, brenda dhe midis vendeve, po e bëjnë botën më të ndjeshme ndaj pandemive, duke i bërë pandemitë më shkatërruese dhe vdekjeprurëse ekonomikisht, dhe duke i bërë ato të zgjasin më shumë. Pandemitë nga ana tjetër rrisin pabarazinë, duke nxitur marrëdhënien ciklike dhe vetë-përforcuese”,- tha raporti.
Këshilli që prodhoi raportin u drejtua nga ekspertë, përfshirë ekonomistin laureat të Çmimit Nobel, Joseph Stiglitz, ish-Zonjën e Parë të Namibisë, Monica Geingos dhe epidemiologun e njohur Sir Michael Marmot.
Ky cikël ‘pabarazi-pandemi’ mund të shihet në krizat e fundit globale të shëndetit publik, të tilla si COVID-19, AIDS, Ebola, gripi dhe mpox, thanë ata në një deklaratë.
Pandemia e COVID-19 në veçanti i shtyu 165 milionë njerëz në varfëri, ndërsa njerëzit më të pasur në botë e rritën pasurinë e tyre me më shumë se një të katërtën, sipas raportit.
Raporti u bëri thirrje udhëheqësve botërorë të rrisin përgatitjen për pandeminë duke investuar në mekanizma të mbrojtjes sociale brenda vendeve të tyre, ndërkohë që trajtojnë pabarazinë globale, duke përfshirë edhe ristrukturimin e borxhit për vendet në zhvillim.