Të hënën e parë të muajit që Sali Berisha zbaton ligjin duke u paraqitur në SPAK, foli nëse do t’i bindet apo jo një kërkese të Prokurorisë Antikorrupsion për të dëshmuar për 21 janarin.
“Në çdo fletë-thirrje që të më vijë, unë paraqitem në SPAK. Kam konceptet e mia unë. Jam i hapur. Siç isha. Ua faktova juve. Këta ndërtuan një piramidë mashtrimi për dosjen Partizani. U tha se toka ishte publike. Jam i hapur. Në çdo çështje do të dal kështu, siç kam hyrë. Qëndrova si flamur. Nderova detyrën dhe flamurin”, tha Berisha.
Pak ditë më parë në SPAK u paraqit ish-lideri demokrat, Lulzim Basha që ka mbajtur postin e Ministrit të Brendshëm në kohën e protestës ku humbën jetën 4 persona në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Si çdo herë tjetër Sali Berisha sulmoi Prokurorinë e Posaçme dhe gjyqtaren Irena Gjoka.
“Institucionet e kapura të KLGJ-së, SPAK, ILD, nuk veprojnë për këtë krim flagrant, ndaj sot paraqes para jush provën e re, të radhës, vërtetimin e lëshuar nga drejtoria e përgjithshme e policisë së Greqisë, me të cilin vërteton ekspulsin e Irena Gjoka Manekut nga territori grek si pasojë e hyrjes së saj në Greqi me vizë të falsifikuar.
Ky dokument që paraqes sot para jush është dokument origjinal, i lëshuar nga policia greke me vulë apostile, siç kishte vulë apostile dokumenti i gjykatës së Janinës për dënimin penal të Irenës me 5 mbiemra. Ky dokument fshihet nga Altin Troplini”, tha Berisha.
Për dosjen “Partizani” është marrë i pandehur Sali Berisha, dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, dy biznesmenët, Fatmir Bektashi dhe Xhimi Begeja dhe një notere.
Ish- kryeminstri akuzohet për korrupsion pasiv, ndërsa dhëndri i tij krahas korrupsionit akuzohet se ke kryer edhe pastrim parash.
