Nga Julia Vrapi
“Historia e ushtarit” e kompozitorit Igor Stravinsky-t është një nga veprat më të veçanta të shekullit të njëzetë. Vepra e kompozitorit të famshëm Stravinsky u soll nga instrumentistët e Orkestrës Simfonike të Forcave të Armatosura nën drejtimin e violinistit të njohur Florian Vlashi dhe interpretimin e aktores së njohur Ema Andrea. “Historia e ushtarit” e Stravinsky-t një nga veprat më të veçanta muzikore dhe një bashkim mes muzikës dhe teatrit. Një mbrëmje e veçantë artistike këtë fillim nëntori në qytetin e Durrësit me veprën “Historia e ushtarit”, që vijoi më pas edhe në Tiranë. Violinist i njohur Florian Vlashi që luajti këtë vepër shprehej më herët se “Historia e ushtarit” e Stravinskit është një nga tre veprat kulmore të historisë së muzikës së dhomës të shekullit XX.
“Një privilegj për mua të luaj “Historinë e ushtarit” të Stravinski-t në Durrës (të shtunën më 1 nëntor) dhe Tiranë (2 nëntor) me aktoren e shkëlqyer Ema Andrea dhe për herë të parë në Shqipëri me solistët shqiptarë. Është një nga 3 veprat kulmore të historisë së Muzikës së Dhomës të shekullit XX (bashkë me Messiaen “Quatuor pour la fin du temps” dhe “Pierot Lunaire” nga Schoenberg). Kjo muzikë mjeshtërore, veç kompleksitetit ekstrem, ka dhe një mesazh të madh: shitja e shpirtit (violinës) për pasuri e pushtet të çon në territorin e Djallit. Një Faust modern. Faleminderit Arben Skënderit për ftesën dhe për iniciativën e guximshme!”, shprehej violinisti i njohur Florian Vlashi në një reagim të tij.
Florian Vlashi i lindur në Durrës e zhvillon aktivitetin artistik dhe profesional në Spanjë dhe është ndër artistët, që ka ndërtuar një karrierë të suksesshme. Një artist i njohur, që për publikun tonë këto ditë luajti veprën “Historia e ushtarit” të kompozitorit të famshëm Igor Stravinski. Një nga veprat më të bukura dhe më të vështira në interpretim, por njëkohësisht një ndër më kulmoret e krijimtarisë së kompozitorit Stravinski u rikthye në Durrës për publikun, i cili vlerësoi artistët që dhuruan një mbrëmje të veçantë artistike më 1 nëntor. Vepra e Stravinskit u shoqërua me interpretimin e instrumentistëve Roni Gjura kontrabas, Reinald Foci trompe, Marvin Vrapi trombone, Igli Zeqiri klarinetë, Erald Ibraliu fagot dhe Gridi Kraja perkusioin.
Kompozimi i veprës
Kompozitori Igor Stravinsky e kompozoi këtë vepër, ndërsa Europa ishte ende në shokun e Luftës së Parë Botërore. Vepra shënon një moment të rëndësishëm në zhvillimin e Stravinsky-t post-rus: ai heq dorë nga orkestracionet e mëdha dhe kthehet tek format ekonomike dhe virtuoziteti ritmik. Igor Stravinsky është një nga kompozitorët më me influencë të shekullit XX-të, i cili fitoi famë botërore edhe me tre pjesët për balet “Zogu i zjarrtë” , “Petrushka” dhe “Riti i pranverës”. Igor Stravinsky, (17 qershor 1882 Rusi – 6 prill 1971 Nju Jork) ishte një kompozitor, pianist dhe dirigjent rus, i njohur anembanë si një nga kompozitorët më të rëndësishëm dhe më ndikues të muzikës së shekullit të 20-të.
“Historia e ushtarit”, Florian Vlashi: Një nga 3 veprat kulmore të historisë së muzikës së dhomës të shekullit XX
