74 vite UBT, Sallaku-Ramës: Suksesi mban gjurmën tuaj! Kryeministri: Jeni pararojë e transformimit

Kryeministri Edi Rama i pranishëm sot, 3 nëntor, në Konferencën e 5-të Ndërkombëtare mbi Shkencat e Jetës dhe Bujqësinë.
Ekspertë nga brenda dhe jashtë vendit do të ndajnë dijen, inovacionin dhe vizionin e përbashkët për një bujqësi që respekton natyrën dhe fuqizon ekonominë rurale. Prezent është edhe Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla.

Fjalën e tij, kryeministri e nisi duke thënë se do të ndalet në disa pika kyçe për sektorin e bujqësisë dhe specifikisht UBT-në.

“Momenti kur rektori m’u drejtua me sens urgjence dhe paniku prej rënies së numrit të studentëve dhe nevojës për të mundësuar që universiteti të mos mbetej pa studentë, duke më kërkuar uljen e mesatares së pranimit në këtë universitet. I thashë rektorit që ne duhet të shkojmë në të kundërtën, të synojmë që t’i japim universitetit markën e ekselencës dhe ta bëjmë tërheqës”, u shpreh Rama.
“Më vjen jashtëzakonisht mirë që nga një universitet që jetonte në një proces rrënimi të vazhdueshëm si rezultat i kthimit të kurrizit ndaj temave që ky universitet mbulon dhe që në fillim të bashkëpunimit tonë ishte i sulmuar dhe i kapur për fyti nga një rrjet i tërë metastazash të kancerit të ndërtimeve pa leje, sot është kthyer në një pararojë të transformimit, ambicies për Shqipërinë e së nesërmes dhe përgjegjshmërisë së lartë përpara brezit të atyre që trokasin në dyert e universiteteve tona për t’u bërë specialistët e së nesërmes”, tha Rama.
Rektori: UBT po reformohet

Kjo e hënë shënon 74-vjetorin e themelimit të Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT).
“UBT ka pronësinë e një prej konferencave më të rëndësishme në rajon”, u shpreh fillimisht rektori i këtij Universiteti, Fatbardh Sallaku.
“Sot festojmë 74 vite punë, dituri e përkushtim. Më lejoni të falenderoj donatorët dhe partnerët tanë që kanë bërë të mundur organizimin e këtij eventi dhe shumë nismave të tjera”, shtoi ai.
Sallaku falenderoi numrin një të kabinetit qeveritar për vëmendjen që i ka dhënë UBT-së ndër vite.
Theksoi se ky institucion po shndërrohet në një kampus modern, me një numër të lartë profesorësh e kërkues shkencorë.
“Kjo histori suksesi mban gjurmën tuaj zoti kryeministër”, i tha rektori Ramës.
“Një histori suksesi në ndërtim që flet më shumë se çdo perceptim i gabuar. UBT po reformohet, për t’u rilindur në funksion të një qëllimi të ri, për ta bërë universitetin të pranishëm në çdo pjesë të këtij vendi. Reforma nuk është e lehtë, ka pasur debate, një universitet që debaton është një universtiet që jeton. Nga përplasja e mendimeve lind qartësia e vizionit”, shtoi Sallaku.
Bergner: Integrimi në BE ofron qasje në tregje të mëdha

Karl Bergner, Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë, tha se “Shqipëria është e bekuar me burime natyrore, klimë të favorshme dhe një traditë të punës së madhe”.
Theksoi se integrimi europian për vendin tonë është një mundësi transformuese.
“Ofron qasje në tregje më të mëdha e të vlefshme, e me gjasë me çmima më të mira dhe me politika që nxisin qëndrueshmërinë dhe novacionin”, tha ai.
“Na duhet të përshtatemi e të bashkëpunojmë me standardet e BE-së. Kemi folur gjatë për përshtatjen, është koha tashmë të veprojmë!”, përfundoi ambasadori.
Ministri Salla radhit objektivat
Në fjalën e tij, ministri Andis Salla tha se “ky takim është një moment reflektimi, ku shohim rrugën e bërë me vizionin drejt një bujqësie moderne”.
“UBT ka përgatitur mijëra agronomë, veterinerë e specalistë që kanë mbajtur gjallë bujqësinë. Falenderoj partnerët tanë ndërkombëtarë, nga SHBA-të, Gjermania, Italia, Anglia e veçanërisht Universitetin BOKU të Vjenës.”
Duke u bazuar te grup-kapitujt e negociatave Shqipëri-BE që lidhen me sektorin e bujqësisë, ai radhiti një sërë objektivash.
“Do të ngremë numrin e kapaciteteve njerëzore dhe do të ketë një sistem të regjistrimit të parcelave. Për sigurinë ushqimore, do të ndërtojmë një sistem digjital për gjurmimin e inputeve bujqësore, që do të garantojë që çdo produkt shqiptar të jetë i sigurt dhe i certifikuar. Te peshkimi dhe burimet detare, me në fokus ruajtjen e ekosistemit, po punojmë për rritjen e kapaciteteve njerëzore, reformimin e strukturave dhe rritjen e profesionalizmit në çdo institucion varësie. Do të garantojmë përfshirjen e ekslencës së UBT-së”, tha Salla.
“Stacioni ynë i ardhshëm është BE-ja, do të mbërrijmë me dinjitet me produktin tonë dhe UBT është një ndër aleatët më të çmuar në këtë rrugëtim”, përfundoi ministri.