Kryeministri Edi Rama në Konferencën Ndërkombëtare mbi Shkencat e Jetës dhe Bujqësinë, në 74-vjetorin e Universitetit Bujqësor në Tiranë, ka deklaruar se për “Shqipërinë Europiane 2030”, shkenca dhe teknologjia janë aleatët më të fortë për të ardhmen e afërt europiane për fermerët, mjedisin e çdo qytetar.
Kryeministri Rama deklaroi se universiteti bujqësor do të bëhet një universitet rajonal me studentë nga gjithë vendi e rajoni. Rama shtoi se sot Universiteti Bujqësor i Tiranës, rezulton me 20% më shumë studentë, ndërsa shprehu synimin për t’i dhënë universitetit, markën e ekselencës.
“Më ka kërkuar të mbështes idenë e uljes së mesatares në këtë universiteti dhe të shkonim në një drejtim që do sillte më shumë njerëz, por do kompromentonte cilësinë e burimeve njerëzore në dispozicion të zhvillimit të vendit.
Unë i thash rektorit që duhet të synojmë ti japim universitetit markën e ekselencës.
Sot ka sjellë një situatë optimizmi që ka rezultuar me 20% plus studentë në UBT. Jo studentë me mesatare të ulur për t’i sjellë, por sepse kanë trokitur në dyert e universitetit që ka çelur një perspektivë të re për të rinjtë dhe për ta parë të nesërmen në këtë fushë që, do jetë aq jetike sa vlerësimi për njerëzit që punojnë në këtë fushë do rritet, edhe në aspektin financiar.
Çështja e sovranitetit ushqimor dhe garantimit të ushqimit, në ndryshimin e kushteve me përmasa katastrofike, apo mbrojtjes dhe ripërtëritjes së burimeve (marr parasysh zjarret) janë pjesë e një tematike të gjerë që i bën njerëzit e specializuar, asete të vyera e gjithnjë e më të vlefshme në kohë”, deklaroi Rama.
74-vjetori i UBT, Rama: Do bëhet universitet rajonal. Shkenca dhe teknologjia, aleatët më të fortë për “Shqipërinë 2030”
