Kreu i qeverisë, Edi Rama, ditën e sotme ishte i pranishëm në Konferencën Ndërkombëtare mbi Shkencat e Jetës dhe Bujqësinë në Universitetin Bujqësor të Tiranës, ku ekspertë nga brenda dhe jashtë vendit ndanë dijen për një bujqësi që respekton natyrën dhe fuqizon ekonominë rurale.
Gjatë fjalës së tij, Rama vuri theksin tek transformimi që po kalon Universiteti Bujqësor dhe bashkëpunimi ndërkombëtar me Universitetin Boku të Vienës që, sipas tij, ka sjellë rritje të numrit të studentëve dhe një frymë të re optimizmi në institucion.
Rama: Kjo konferencë është mjaft kuptimplotë sepse zhvillohet në një atmosferë transformimi për Universitetin Bujqësor të Tiranës. Rektori i Universitetit mu drejtua me një sens urgjence dhe paniku, për shkak të rënies së numrit të studentëve dhe domosdoshmërisë për të mundësuar që Universiteti të mos mbetej pa studentë.
Praktikisht më ka kërkuar që të mbështes idenë e uljes së mëtejshme të mesatares së pranimit në këtë Universitet. Pra të shkonim në një drejtim që do të sillte mbase në këtë territor kaq të rëndësishëm për zhvillimin e vendit më shumë njerëz, por që do të kompromentonte totalisht cilësinë e burimeve njerëzore në dispozicion të zhivillimit të vendit në një sektor jetik sa bujqësia.
Unë i thashë që duhet t’i japim niversitetit markën e ekselencës dhe të frymëzojmë të rinjtë dhe të rejat që duan të hapin perspektivën e tyre përmes një mundësie të re. Kështu lindi ideja për të shkuar së bashku me ministren në atë kohë dhe me zëvendësrektoren dhe një grup, si një delegacion në dyert e universitetit Boku.
Kështu filloi bashkëpunimi që sot ka sjellë një situtatë optimizmi, sot ka rezultuar me 20% plus studentë në Universitetin Bujqësor.
Fakti që UBT sot ka arritur të realizojë një reformë që i vlen jo thjesht universitetit, por që hap një dritare për të gjithë botën tonë universitare është shumë kuptimplotë.
