Objektet e reja të biznesit deri më 2050, rritja më e fortë për tregtinë dhe shërbimet

Numri dhe sipërfaqja e ndërtesave për qëllimi biznesi në Shqipëri pritet të rritet ndjeshëm deri në vitin 2050, veçanërisht në tregti dhe shërbime.Sipas parashikimeve në “Planin Kombëtar për Rinovimin e Ndërtesave” në total, pritet që numri i ndërtesave private për qëllime biznesi të arrijë në 107,481 njësi në vitin 2050, nga 85,098 që u regjistruan në 2023, ndërsa sipërfaqja e përgjithshme do të dyfishohet, duke arritur në 35.6 milionë metër katror nga 18,9 milionë që ishin në vitin 2023.Tendenca tregon një zhvendosje të strukturës urbane drejt turizmit dhe tregtisë që do të mbeten shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik dhe urban të vendit në dekadat e ardhshme.Rritja më e madhe do të ndodhë në ndërtesat e shitjes me shumicë dhe pakicë, si dhe në hotelet dhe restorantet, që pritet të dominojnë zgjerimin e hapësirave të ndërtuara private në dekadat e ardhshme.Numri i ndërtesave për shitjen me shumicë dhe pakicë nga 44,267 në vitin bazë 2023 do të arrijnë në 55,619 ndërtesa në vitin 2050 ose 25.6% me shumë, ndërsa sipërfaqja totale pritet të zgjerohet me mbi 64%, nga 5.29 milionë metër katror në vitin 2023, në 8.7 milionë metër katro në vitin 2050, duke reflektuar pritshmëritë e larta për zgjerimin e tregtisë, zhvillimin e qendrave tregtare dhe rritjen e konsumit.Në sektorin e akomodimit dhe ushqimit, numri i ndërtesave pritet të rritet nga 17,962 në vitin 2023 në 24,713 të tilla në vitin 2050, me rritje 37.6%, ndërsa sipërfaqja e tyre do të dyfishohet nga 11.04 milionë metër katror në 2023 në 22.92 milionë metër katror në vitin 2050 ose 107% më shumë.Ndërtesat e zyrave private do të rriten nga 18,591 në vitin 2023 në 22,319 ndërtesa pas 25 vitesh, me një shtim të sipërfaqes nga 1.13 në 1.78 milionë metër katror deri në vitin 2050, me zgjerim 57%.Rritja është e qëndrueshme, por më e ngadaltë se në tregti dhe turizëm.Ndërtesat që i shërbejnë arsimit privat pritet të shtohen me 20 % ndërmjet 2023 dhe 2050, duke arritur në 1,634 njësi, me sipërfaqe 1.17 milionë metër katror.Kujdesi shëndetësor dhe ndërtimet sportive do të kenë me rritje minimale. Në fushën e kujdesit shëndetësor privat, rritja është më e kufizuar. Nga 2,389 ndërtesa në 2023 në 2,618 objekte në vitin 2050, ndërsa sipërfaqja do të arrijë vetëm në 0.77 milionë metër katror nga 0.54 që është aktualisht me zgjerim 42%.Po ashtu, ndërtesat sportive dhe kulturore private do të pësojnë një rritje të lehtë duke arritur në 578 ndërtesa, nga 527 që ishin në 2023, me rritje 9.7%.Numri i objekteve për qëllime biznesi në total do të rritet me 16 për qind për gjatë 2023-2050, ndërsa në sipërfaqe, rritja është shumë më e lartë me 88%, çka tregon se ndërtesat e reja do të jenë më të mëdha dhe me funksione të zgjeruara. Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.