Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK) raportoi rritje të ndjeshme të të ardhurave nga qiradhënia në 9-mujorin e parë të vitit 2025.Sipas të dhënave zyrtare, të ardhurat nga qiratë arritën në 162.2 milionë lekë, nga 109.5 milionë lekë në të njëjtën periudhë të një viti më parë, me një rritje prej 48.2%.Në këtë periudhë nuk janë zhvilluar procedura shitjeje pasurish të sekuestruara apo të konfiskuara, ndaj e gjithë rritja ka ardhur nga menaxhimi dhe dhënia me qira e tyre.Agjencia thekson se është përmirësuar procesi i administrimit dhe bashkërendimi me institucionet e tjera shtetërore dhe pushtetin vendor për përdorimin më efikas të pasurive në administrim.Muaji shtator ka rezultuar me të ardhurat më të larta për Agjencinë, të cilat arritën në 22.4 milionë lekë, nga 15 milionë lekë në të njëjtin muaj të vitit të kaluar — një rritje prej afro 49%.Rritja tregon se strategjitë e reja për vënien në përdorim të pasurive po japin efekt të menjëhershëm, me gjithnjë e më shumë prona që gjenerojnë të ardhura të qëndrueshme për buxhetin e agjencisë, përmes të cilit mbështeten edhe institucionet ligjzbatuese.Në raport me vitin 2024, të ardhurat janë rritur me rreth 53 milionë lekë, duke reflektuar një ecuri më të mirë pothuajse çdo muaj, sidomos gjatë marsit, korrikut dhe shtatorit — periudha kur janë formalizuar më shumë kontrata të reja qiraje.Nëse ky trend vazhdon, të ardhurat totale për vitin 2025 pritet të kalojnë kufirin prej 200 milionë lekësh, duke shënuar nivelin më të lartë që prej krijimit të agjencisë.AAPSK, përveç rritjes së të ardhurave, ka si prioritet përdorimin social të pasurive të konfiskuara, përmes projekteve në bashkëpunim me bashkitë dhe organizatat sociale, si pjesë e politikës për rikthimin e vlerës së pasurive në shërbim të komunitetit.“Rritja e të ardhurave nuk është vetëm tregues financiar, por edhe dëshmi e një administrimi më të drejtë dhe më transparent të pasurive që i kthehen shoqërisë,” bën me dije AAPSK.Burimi: AAPSKKy është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Të ardhurat nga qiradhënia e pasurive të sekuestruara arrijnë 162.2 mln lekë, rritje me 48% në 2025
