Tregu turk i lajthive u përball me probleme serioze pasi kompania italiane Ferrero, e njohur për prodhimin e çokokremit të njohur Nutella, pezulloi përkohësisht blerjen e këtij arrori.
Arsyeja, siç shkruan Financial Times, është rënia e ndjeshme e rendimenteve dhe rritja drastike e çmimeve të lajthive, e shkaktuar nga ngricat dhe dëmtuesit që goditën plantacionet turke në fillim të këtij viti.
Rënie e prodhimit dhe rritje e çmimeve
Turqia zakonisht prodhon midis 600,000 dhe 700,000 ton lajthi në vit, duke përbërë gati dy të tretat e furnizimit global. Megjithatë, prodhimi i këtij viti, sipas vlerësimeve të Ministrisë Turke të Bujqësisë, mund të bjerë nën 500,000 ton, ndërsa disa burime lokale pohojnë se sasia aktuale mund të jetë më pak se 300,000 ton.
Për shkak të kësaj, çmimi i lajthive të qëruara është rritur nga 9,000 në madje 18,000 dollarë për ton që nga korriku, konfirmoi për Financial Times Giles Hacking, themeluesi i kompanisë me seli në Londër CH Hacking & Sons, e cila specializohet në importimin e lajthive.
Përplasje midis prodhuesve dhe Ferrero-s
Prodhuesit e vegjël në Turqi refuzojnë të shesin me ato që pretendojnë se janë çmime shumë të ulëta të Ferrero-s. Në të njëjtën kohë, kompania italiane po e shtyn blerjen, duke pritur stabilizimin e tregut.
Marco Botta, kreu i departamentit të prokurimit të lajthive në Ferrero, e krahasoi situatën me romanin e famshëm të Beckett-it “Duke pritur Godonë”, duke thënë se “Ferrero është bërë Godo për mbretërit e lajthive të Turqisë”.
Botta konfirmoi se Ferrero aktualisht furnizohet me lajthi nga Kili dhe Shtetet e Bashkuara, ku kapaciteti i prodhimit është zgjeruar në dy vitet e fundit. Pavarësisht pauzës në blerje, kompania thotë se mbetet e përkushtuar ndaj investimeve afatgjata në Turqi.
Rritje e mundshme e çmimit të Nutella-s
Analistët kanë paralajmëruar se kjo situatë mund të çojë në një rritje të çmimit të Nutella-s dhe produkteve të tjera me bazë lajthie në tregun global.
Ferrero nuk pranoi të komentojë mbi mundësinë e një rritjeje çmimi, por pranoi se vështirësitë aktuale të furnizimit mund të ndikojnë në planifikimin e ardhshëm të prodhimit.
Turqia, megjithëse prodhuesi kryesor i lajthive në botë, ende eksporton kryesisht lëndë të para, ndërsa vende të tilla si Kili kanë dalë si konkurrentë seriozë. “Turqia ka vepruar si nënkontraktor evropian për vite me radhë, jo si markë”, tha Bakici i Poyraz Fındık, një nga eksportuesit më të mëdhenj të Turqisë. /tesheshi.com/
Lajthitë e Turqisë, ndikim në çmimin e Nutella-s
