Ja detajet nga prova e SHBA për SPAK që tronditi Ilir Metën, pas fundosjes së ish-presidentit pritet dosja “LaCivita-..

Një provë e mbërritur nga Shtetet e Bashkuara për Prokurorinë e Posaçme (SPAK) ka tronditur ish-presidentin Ilir Meta. Dokumenti që lidhet me lobimin e LSI-së në SHBA rëndon pozitat e Metës. Juristi Romeo Kara, në një intervistë të re, zbulon detajet e kësaj letër-porosie amerikane që, sipas tij, provon pagesat e paligjshme dhe përfshirjen direkte të Metës. Ai paralajmëron gjithashtu se pas kësaj dosjeje do zbardhet nga SHBA dhe afera tjetër që përfshin ish-kryeministrin Sali Berisha me Chris LaCivita, konsulenti i Presidentit të vendit më të pasur dhe më të fuqishëm në botë, SHBA-së, që u pagua për të çuar drejt “fitores” liderin e opozitës së vendit më të varfër në Europë. Ka një dosje që po hetohet nga SPAK për lobimet misterioze të PD në fushatën e zgjedhjeve të 11 majit. Sipas juristit çdo gjë do të zbardhet me ndihmën e SHBA.
-Ditët e fundit Ilir Meta ka reaguar publikisht për një letër-porosi që ka mbërritur nga Shtetet e Bashkuara, e cila lidhet me çështjen e lobimit të LSI-së në SHBA. Ai e ka quajtur atë provë diçka që nuk ekziston. Çfarë ka ndodhur realisht sipas informacionit që ke ti?
Nga çfarë kam parë që është shkruar dhe thënë,  si nga krahu i Metës ashtu edhe nga krahu i medias: Ka ardhur një letër porosi, besoj në 1 tetor nga Shtetet e Bashkuara. Kjo provon që lobimi është paguar pjesërisht nga paratë e LSI-së (nga financat e LSI-së së atëhershme) dhe pjesërisht nga biznesmeni Shatku nëpërmjet numrave të tij të llogarisë. Kjo provon edhe një herë vërtetësinë e akuzës lidhur me një lobim të paligjshëm në SHBA. Lobimi bëhet pikërisht nëpërmjet personit i cili ka marrë favore më parë nga Meta dhe ndikimi e tij në qeverisje.
Pra, mbyllet qarku. Nëse dalin edhe prova të tjera, besoj kjo pjesë e akuzës është provuar pastaj katërcipërisht. Pikërisht ky fakt, i cili është i rëndë për të, e ka çuar atë në prononcimin që ta mohojë. Zakonisht akuza ngrihet përtej dyshimit të arsyeshëm me fakte të mbështetura nga prova. Provat mund të jenë të ngurosura ose verbale, pra që janë dëshmitë. Pjesa që kuptova unë nga mohimi ishte që “unë nuk kam dijeni”. Që të plotësohen elementet e veprës penale, veprimi duhet të jetë bërë me faj. Pra, e ke bërë me ndërgjegje të plotë. Tani kjo pjesë ngelet të provohet edhe nga organi i akuzës, të cilën besoj se Meta dhe mbrojtja e tij e kanë të vështirë ta hedhin poshtë. Pra, çështja, ose çështjet që janë bashkuar, po marrin një drejtim drejt gjykimit. Aty ka tre akuza. Besoj se kjo akuzë është e pakundërshtueshme.
-Ndërkohë, përfshirja e Shteteve të Bashkuara, çfarë tregon në këtë lloj bashkëpunimi?
Kjo provë është marrë me anë të një letër porosie. Ne kemi bashkëpunim me shumë shtete. Edhe nga ndonjë vend tjetër do vinin. Nuk besoj që do ta mohonin, por kuptohet që SHBA-të gjithmonë kanë qenë të hapura në lidhje me zbatimin e ligjit dhe mirëfunksionimin e drejtësisë. Kështu që nuk kam dyshuar që ata nuk bëjnë shakara të tilla. Mbase do fillojë dhe atje ndonjë proces penal.
-Mund të hapet hetim edhe në Amerikë për lobimin?
Po, patjetër. Ata nuk munden të lejojnë që lobimet në SHBA të bëhen me para të korruptuara, në mbështetje të korrupsionit në botë. Besoj se më e rëndë do të jetë ajo e LaciVita-Berishës, që t’i jepet fund edhe kësaj loje me SHBA-në, ku lobojnë atje për të zgjatur “jetën e haramit të tyre” këtu. Është turp tani të paguash para dhe të bësh lloj-lloj makinacionesh për të bërë një foto, një takim, apo për të marrë një përkrahje jo të ligjshme për veprimtaritë e mbrapshta këtu. Edhe pse je në pushtet, në momentin që je jashtë kornizave ligjore, e ke uzurpuar atë pushtet. Duhet t’i jepet fund këtij teatri me lobimet në Amerikë, Europë apo në vende të tjera. Ne i votojmë këta persona në raport me qeverisjen që kanë me ligj me ne këtu.
-Kontratat janë publike. Ku e gjejnë guximin t’i bëjnë me fonde të dyshuara, që nuk justifikohen?
Edhe më të zgjuarit që kam parë, edhe nga qeverisja e Berishës e të tjerë, kanë lënë prova. Nuk ka krim që nuk zbulohet. Mjafton të kemi vullnetin, qetësinë e duhur dhe motivin e duhur. Këta kanë abuzuar dhe kanë menduar që do të ishin të patundur. Unë shoh akoma që vazhdon abuzimi. Nuk e besojnë që Meta është në arrest akoma. Edhe kur të shkojnë vetë, fillimisht nuk do e besojnë. Do qetësohen pastaj, si puna e Veliajt etj, që fillojnë e kuptojnë ku janë. Ai nuk ka bërë një protestë të madhe. Ai ka dashur të shmangë veten dhe si lëvizje duket se ka shfrytëzuar maksimumin e mundësisë që ai ka, pra të shmangë pjesën e fajësisë. Po a ka një publik që beson që “ia kanë bërë të tjerët” pas shpinës? Nuk besoj.