Masat kufizuese nuk e frenuan rritjen e kredisë për shtëpi në tremujorin e parë të aplikimit

Kredia për shtëpi ka vazhduar rritjen gjatë tremujorit të tretë të vitit, pavarësisht nisjes së aplikimit të masave kufizuese të Bankës së Shqipërisë.Statistikat e Bankës Qendrore tregojnë se në tremujorin e tretë, sektori bankar dha gjithsej rreht 13.8 miliardë lekë kredi të re për blerjen e banesave, me një rritje prej 16% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.Të dhënat progresive të 9-mujorit tregojnë se vlera e kredisë për blerje banesash ka arritur një rekord të ri historik për këtë vit. Gjatë nëntë muajve, sektori bankar disbursoi gjithsej 50 miliardë kredi, 27% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.Portofoli aktiv total në fund të shtatorit arriti vlerën e 236 miliardë lekëve. Krahasuar me një vit më parë, ky portofol është zgjeruar me pothuajse 18%.Kredia për individët, duke përfshirë edhe segmentin më të madh të saj, kredinë për shtëpi, po jep kontributin kryesor në rritjen e kredisë për ekonominë gjatë këtij viti.Që prej 1 korrikut të këtij viti, bankat janë të detyruara të respektojnë disa kritere të administrimit të rrezikut, konkretisht për treguesit “Raporti i kredisë ndaj vlerës” (përqindja e çmimit të blerjes së banesës që banka merr përsipër të financojë nëpërmjet kredisë) dhe “Raporti i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave” (raportin mes këstit ose kësteve të kredisë për prona ndaj të ardhurave të huamarrësve).Raporti tavan i kredisë ndaj vlerës në monedhën Lekë do të jetë 85% për shtëpinë e parë dhe 80% për shtëpinë e dytë, ndërsa në valutë të huaj 75% për shtëpinë e parë dhe 70% për shtëpinë e dytë.Raporti i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave për kreditë në Lekë do të jetë në nivelin 40% për shtëpinë e parë dhe 35% për shtëpinë e dytë. Në valutë të huaj, niveli tavan do të jetë 35% për shtëpinë e parë dhe 30% për shtëpinë e dytë.Sipas Bankës së Shqipërisë, zbatimi i këtyre kufijve do të mundësojë uljen e rrezikut të dështimit të huamarrësve dhe pakësimin e humbjeve bankare të lidhura me këto kredi, si pasojë e zhvillimeve eventuale të pafavorshme në çmimet e pronave të paluajtshme ose në kuadrin makroekonomik të vendit.Në fakt, kritere të ngjashme janë aplikuar gjithmonë nga bankat në politikat e tyre të brendshme, por megjithatë në vitet e fundit është vërejtur një rritje e rasteve kur bankat kanë ofruar kredi në tejkalim të kufijve të mësipërm.Burimi: Banka e ShqipërisëKy është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.