Nuk pati asnjë përpjekje për të fshehur dhimbjen mes lotëve, shkruan A2 CNN, në raportimin e ceremonisë mortore të Fatos Nanos, ikur nga jeta dy ditë më para, referuar bashkëshortes së dytë të ndjerit, Xhoana Nano. Ashtu ndodhi edhe kur do të duhej ballë të gjithëve të mbante fjalimin e lamtumirës për bashkëshortin e saj, martesa më të cilin shënoi një thyerje tabuje të fortë në shoqërinë shqiptare.
Ju pohoi të pranishmëve në mort pse ishte dashuruar me Fatos Nanon:
“Këtu e çerek shekulli më parë unë një vajzë e re, rashë në dashuri me Fatosin. Atëherë nuk e kuptoja pse, por tani e di. Kisha rënë në dashuri, jo vetëm me Fatosin si njeriu, por kisha rënë në dashuri edhe me vizionin për një Shqipëri ndryshe, të një Shqipërie që lipsej të largohej nga barbaria, hakmarrjeve dhe të fitonte një kurs tjetër, civil modern dhe evropian. Këto do t’i gjeja tek Fatosi”.
Udhëtarja e tij e jetës në çerek shekullin e fundit, siç vetë Xhoana Nano e quajti veten, me lot në sy u shpreh se këtë ditë nuk donte ta jetonte kurrë.
Fjalimit me tone emocionuese, ku pas çdo fraze rridhnin lotët, Xhoana i dha edhe ngjyrime politike, si për të thënë që politikës i mungon lloji i politikanit që Nano ishte, shkruan A2 CNN.
“Ai eci mes baltës së politikës pa u bërë pis prej saj. Ai kishte një zemër të madhe, që dilte të falte, të mirëkuptonte. Hakmarrja, ishte cilësi që nuk e kishte, por nuk pranoi ta njihte. Këtë e bëri pasi udhëhoqi vendin pas burgimit të padrejtë, kur vendi ishte në prag të një lufte civile. Ishte i drejtpërdrejt, ndonjëherë kokëfortë, por i ndershëm me veten dhe të tjerët. Ai e donte këtë vend me shpirt”, tha Xhoana Nano.
Ndërsa i biri, Sokol Nano, do thoshte: “Po përcjellim tim atë, të pazëvendësueshmin. Tani e tutje jeta s’do të jetë më e njëjtë pa ty”.
Për gati pesë orë, Fatos Nano u nderua nga mijëra qytetarë, miq dhe bashkëpunëtorë të tij ndër vite, figura të larta shtetërore, përfaqësues të dy kampeve politike.
Mungonin ish-presidentët që e kanë shoqëruar për keq e për mirë në karrierën e tij politike, si Sali Berisha, por edhe Rexhep Mejdani. Ndërsa njëri pas tjetrit u shfaqën në Pallatin e Kongreseve në Tiranë dy liderët politikë të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, Albin Kurti dhe Ali Ahmeti për t’i dhënë lamtumirën ish-kryeministrit dhe liderit historik të Partisë Socialiste.
Ndërsa kryeministri Rama mbajti një fjalim për Nanon e ndjerë, duke e finalizuar me frazën e denjë për të gjallët “Mos vdeksh kurrë!’’.
Ndër të tjera, Rama tha: “Do të më mungojnë darkat e rralla miqësore, komunikimi ynë si mes shoferit të turnit të parë me shoferin e turnit të dytë për të njëjtën makinë, ku e kuptonim njeri-tjetrin në ajër dhe ku, kur ndodhte të ndanim ndonjë dilemë strategjike, këshillat e tua vinin të qëruara mirë, duke më ndihmuar shumë për të vënë pikën mbi ‘I’”. /tesheshi.com/
Ikja mortore e Nanos me urimin për të gjallët “Mos vdeksh kurrë!”
