Raporti çmim/qira përdoret kudo në botë për të treguar nëse ia vlen të blesh një shtëpi, apo të rrish me qira. Ai mat vlerën e një shtëpie, në krahasim me të ardhurat që mund të marrësh nga ajo.
Sipas vlerësimeve të ekspertëve, të marrësh një shtëpi me qira është e leverdishme nëse ky raport është më i madh sesa 20, dhe ta blesh nëse kjo normë është më pak se 15.
Nëse norma është midis 15 dhe 20, atëherë ka më shumë sens që të blesh, në rast se blerësi synon të jetojë në shtëpi për një kohë të gjatë.
Raporti i çmimit ndaj qirasë është kostoja mesatare e pronësisë e pjesëtuar me të ardhurat e marra nga qiraja (nëse blihet me qira) ose qiraja e vlerësuar që do të paguhet nëse jepet me qira (nëse blihet për të banuar).
Vlerat më të ulëta sugjerojnë se është më mirë të blesh sesa të marrësh me qira dhe vlerat më të larta sugjerojnë se është më mirë të marrësh me qira sesa të blesh.
Sipas të dhënave që jep “Numbeo” deri në mesin e 2025 për Tiranën ky raport është 19.7 për zonat e qendrës, dhe 16.2 për zonat jashtë qendrës. Pra për zonat jashtë qendrës raporti është brenda kufirit të blerjes së shtëpisë.
Stela Dhami, eksperte e tregut të pasurive të paluajtshme dhe përfaqësuese e “Colliers International Albania”, thotë se raporti mes çmimit të shitjes së një apartamenti dhe të ardhurave që vijnë nga dhënia me qira është bërë gjithnjë e më i zhdrejtë në Shqipëri.
“Sot, në Tiranë, duhen mesatarisht 19 vite për të shlyer investimin e një apartamenti përmes të ardhurave nga qiraja, ndërkohë që mesatarja në vendet e tjera europiane është rreth 13 vite, dhe në mënyrë ideale kjo periudhë duhet të jetë 10–12 vite”, – shprehet znj. Dhami.
Sipas saj, ky disproporcion vjen sepse çmimet e shitjes janë rritur në mënyrë të ndjeshme në vlerë nominale, ndërsa qiratë nuk kanë ndjekur të njëjtin ritëm rritjeje.
Kjo e bën kthimin e investimit më të ngadalshëm dhe e vendos tregun shqiptar në një trajektore të ngjashme me ato të disa ekonomive perëndimore, ku shumë njerëz nuk arrijnë dot të blejnë dhe përfundojnë duke jetuar përherë me qira.
Qiratë e zyrave dhe dyqaneve
Përveç çmimit të qirave afatgjatë të banesave, edhe qiratë për zyra vijuan të mbeten të larta gjatë 2025-s.
Sipas të dhënave të publikuara nga “Colliers International Albania”, çmimet mesatare të qirave për zyra në qendër të Tiranës vijuan të mbeten 30 euro për metër katror edhe për 6-mujorin e dytë të 2025-s, duke u barazuar me ato të Barcelonës dhe Pragës, dy tregje të konsoliduara në Europë.
Me këtë çmim, Tirana renditet jo vetëm ndër qytetet më të shtrenjta në rajon, por edhe më lart se disa qytete të Bashkimit Europian.
Në Tiranë, çmimet e qirave tejkaluan kryeqytetet europiane, si: Portugalia që shënon vlera 29 euro apo Budapesti me çmime 25.5 euro dhe Bukureshti me çmime mesatare 20 euro për metër katror në muaj.
Çmimet e qirave për zyra janë edhe më të larta sesa kryeqytetet e rajonit. Në zonat qendrore të Beogradit, çmimet arritën 18 euro për metër katror në 6-mujorin e parë të 2025-s.
Në Zagreb, çmimet janë 17.5 dhe në Sofje 16 euro për metër katror në muaj.
Tirana pozicionohet ndër qytetet më të shtrenjta edhe për çmimet e qirave në zonat sekondare. Me një mesatare prej 19 eurosh për metër katror në muaj, kryeqyteti shqiptar tejkalon disa qytete të rajonit si Beogradi (15 euro), Zagrebi (13 euro) dhe Sofja (11 euro).
Në terren, sipas të dhënave të marra nga agjencitë imobiliare, çmimet e qirave për zyra ndryshojnë ndjeshëm në varësi të vendndodhjes dhe cilësisë së ndërtesës.
Në objekte kulla apo qendra të njohura të biznesi, si “Arena Center”, “Alban Tower”, “Downtown One”, “Rainbow Center” (ish-Blloku), “MET Building” dhe “Lion Park” ofrohen qira për ambiente zyrash me çmime nga 22 deri në 30 euro në muaj për metër katror, duke reflektuar standard të lartë ndërtimi, por edhe vendndodhje të favorshme për bizneset.
Nga ana tjetër, çmimet për zyrat në zona të ndryshme të Tiranës janë më të ulëta dhe më të përballueshme, por me variacione të dukshme brenda vetë zonës.
Në Unazën e Re, qiratë variojnë nga 6 deri në 8 euro në muaj për metër katror, duke e bërë atë një nga zonat më ekonomike për zyra.
Në ish-parkun e autobusëve, “21 Dhjetori”, çmimet janë më të larta, duke filluar nga 10 deri në 13 euro në muaj për metër katror.
Zona e Rrugës së Kavajës në Qendër paraqet një gamë prej 15 deri në 23 euro në muaj për metër katror, ndërsa ish-Blloku dhe sheshi “Willson” janë ndër më të shtrenjtët në zonat jo-kulla, me çmime që luhaten nga 18 deri në 25 euro në muaj për metër katror.
Në zona si ish-stacioni i trenit, Bulevardi i Ri dhe Tregu Medreseja te zona 5 Maji, çmimet e zyrave nisin nga 8 deri në 10-12 euro për metër katror në muaj.
Rritje kanë shënuar edhe qiratë e dyqaneve vitet e fundit. Në vitin 2020, sipas të dhënave të agjencive imobiliare, çmimet maksimale të ambienteve për dyqane në rrugët kryesore ishin 40 euro për metër katror, ndërsa maksimalja e qirasë për dyqanet në qendrat tregtare arriti 52 euro për metër katror.
Për 2024, sipas “Colliers Albania”, qiratë maksimale kanë arritur në 70 euro për metër katror në muaj për qendrat tregtare dhe 55 euro për metër katror në muaj për rrugët kryesore të shitjes me pakicë. Rritja është 38%./Monitor
Të blesh një shtëpi apo ta marrësh me qira? Tirana më e shtrenjtë se Barcelona, çmimet arrijnë nivele rekord
