Policia e Devollit arrestoi tre persona, për të cilët thotë se kanë marrë me forcë nga banesa, për motive të dobëta, një 32-vjeçar, e kanë kërcënuar me jetë dhe kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tij.
Bëhet fjalë për Alti Nallbatin, vëllain e deputetit demokrat Bledion Nallbati, Marsel Bucin dhe Trajan Çelikun.
Nga hetimet dyshohet se këta persona kanë marrë me forcë nga banesa Ilir Topciun, banor i fshatit Braçanj në Bashkinë e Devollit, i cili ishte me masë sigurie “arrest në shtëpi” për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, dhe e kanë çuar në një biznes privat ku e kanë keqtrajtuar.
Sa më sipër, në lidhje me ngjarjen, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda ka shkarkuar nga detyra Drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, Erion Ahmeti
Njoftimi i Policisë:
Duke marrë shkas nga ngjarja e fundit e ndodhur në Devoll, ku një 32-vjeçar u mor me forcë nga banesa, për motive të dobëta, u mbajt për disa orë, si dhe ndaj tij u ushtrua dhunë fizike dhe u kanos për jetën, dhe pas një analize të kryer në lidhje me veprimet dhe menaxhimin e situatës, rezultoi se zinxhiri drejtues i DVP Korçë nuk ka përmbushur detyrimet ligjore dhe nuk ka menaxhuar siç duhet situatën, duke sjellë pasoja në imazhin e Policisë në komunitet.
Për sa më sipër, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, ka vendosur:
Shkarkimin nga detyra të Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, Drejtues Erion Ahmeti;
Pezullimin nga detyra të Zëvendësdrejtorit për Hetimin e Krimit në DVP Korçë, Drejtues Hajri Kushe, deri në përfundimin e hetimit disiplinor.
Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm, bazuar në nenin 121 të Ligjit për Policinë e Shtetit ka nisur hetimin disiplinor për gjithë zinxhirin drejtues të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë dhe Komisariatit të Policisë Devoll, për mospërmbushje të detyrave të cilat kanë sjellë pasoja të rënda.
Po me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, deri në përfundim të konkursit për Drejtor Vendor, është caktuar përkohësisht në detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, Drejtues Islor Islami, i cili deri sot mbante detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Kukës.
Policia e Shtetit siguron qytetarët se analizon me përgjegjësi çdo rast të mosveprimit profesional dhe në përputhje me ligjin nga punonjësit e saj, duke marrë masa ndëshkimore bazuar në Ligjin “Për Policinë e Shtetit” dhe në Rregulloren e Policisë.
Proda shkarkon drejtuesit e policisë Korçë, ja arsyeja
