“Zgjedhjet u shtynë se nuk ju dalin llogaritë”, Alimehmeti: Binaj do ta çojë garën përballë Ramës deri në fund

Koordinatori i Partisë Demokratike për Tiranën, Ilir Alimehmeti, ka folur pasditen e sotme lidhur me zgjedhjet e pjesshme që do të mbahen në 5 bashkitë e vendit më 9 nëntor.
Fushata për këto zgjedhje ka nisur ditën e sotme, ndërsa Alimehmeti tha se zgjedhjet për kryetar bashkie në Cërrik, Tepelenë, Berat, Vlorë dhe Mat duhet të ishin mbajtur që në maj. Në një lidhje direkte, ai tha se këto bashki u lanë pa drejtues më shumë seç parashikojnë afatet ligjore.
“Fillimisht duhet të kuptojmë pse erdhën këto zgjedhje. Duhet të ishin mbajtur që më 11 maj. Në këto bashki që atëherë kishte kryebashkiakë të dorëhequr, ndërsa të tjerë kishin probleme me drejtësinë. Bashkitë përkatëse u lanë pa kryetar më shumë sesa janë afatet ligjore”, tha ai.
Më tej gjatë fjalës së tij, Alimehmeti ka folur edhe për garën për bashkinë e Tiranës, ku opozita ka dalë në mbështetje të kandidatit të pavarur, Florjan Binaj. Figura e këtij të fundit, sipas Alimehmetit, bëri bashkë të gjithë opozitën. Ai u shpreh se mbështetja në rritje për kandidimin e tij ka ardhur sepse qytetarët e kanë kuptuar abuzimin që ju është bërë nga qeverisja socialiste.
“Shumë shpejt sondazhet shkuan kokë më kokë. Kjo sepse pakënaqësia është tejet e lartë. Që janë të abuzuar nga socialistët, kjo është e qartë për njerëzit. Fushata e Manastirliut ka mbaruar, e tregoi fushatën e vet. Fushata e zotit Binaj ende nuk ka nisur. Pritet të ngrihet edhe më shumë në ditët në vijim. Njerëzit e kanë shumë të qartë se çfarë është vjedhur, thjesht prisnin një alternativë. Gjitha lëvizjet për shtyrjen e datës është se nuk ju dalin llogaritë. Në do të ekspozojmë gjithmonë e më shumë figurën e Florjan Binajt. Figura e tij bëri atë që ne nuk e bëmë dot, bashkimin e opozitës rreth figurës së tij. e dimë se përballja nuk është e lehtë por nuk frikësohemi”, u shpreh demokrati.