Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili prej më shumë se dy muajsh ndodhet në masën e sigurisë “arrest në burg” nën dyshimin për kryerjen e dy veprave penale, ka kërkuar lirimin nga qelia. Veliaj ka paraqitur kërkesë për revokimin ose zëvendësimin e masës së sigurisë, si dhe ka kërkuar informacion nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion lidhur me ecurinë e hetimeve që po zhvillohen ndaj tij, për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Kërkesa e tij pritet të shqyrtohet të mërkurën nga gjyqtari i hetimit paraprak, Erjon Bani, i cili më herët kishte firmosur masën “arrest në burg” ndaj Veliajt. Kryebashkiaku i Tiranës më herët apeloi masën e GJKKO në Apelin e Posaçëm, por shkalla e dytë e gjyqësorit vendosi të rrëzojë kërkesën e tij duke lënë në fuqi vendimin e dhënë nga Erjon Bani në seancën e vlerësimit të masave të sigurisë që u mbajt në Gjykatën e Posaçme më 12 shkurt.
Vendimi i Apelit u zbardh pak ditë më parë, teksa pritet që mbrojtja ligjore e Erion Veliajt të bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë, pasi ata kundërshtojnë masën shtrënguese por edhe hetimin e nisur nga SPAK, që sipas tyre bazohet mbi një kallëzim anonim.
Për të njëjtën çështje, biznesmeni Elman Abule qëndron në masën “arrest në shtëpi”, ndërsa bashkëshortja e Veliajt si dhe pesë biznesmenë të tjerë, mes tyre Gentian Sula, Shkëlqim Fusha, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi dhe Sokol Kryeziu, janë kufizuar me masën “detyrim paraqitje”.
Erion Veliaj kërkon lirimin nga burgu, ja kur pritet të dalë përpara gjykatës kryebashkiaku
