Kuvendi i ka lënë një sërë rekomandimesh Bankës së Shqipërisë për t’u përmbushur brenda muajve të mbetur të vitit, me synim forcimin e stabilitetit financiar dhe mbrojtjen e konsumatorëve.
Ndër detyrat kryesore të përcaktuara në rezolutën e miratuar është shtimi i kontrollit ndaj kreditimit në sektorin e ndërtimit dhe projekteve të mbështetura me pasuri të paluajtshme.
Bankës së Shqipërisë i kërkohet të sigurojë një vlerësim më konservator të kolateralit dhe aftësisë paguese, me qëllim shmangien e përqendrimit të rrezikut si dhe ruajtjen e stabilitetit në këtë sektor.
Rekomandim tjetër është adoptimi i një qasje me të matur ndaj ndërhyrjeve në tregun e këmbimit valutor, duke i kufizuar ato vetëm në raste të domosdoshme, me qëllim ruajtjen e funksionit vetërregullues të kursit të këmbimit dhe të ekuilibrave makroekonomikë.
Rezoluta parashikon rritjen e kontrollit mbi zyrat e këmbimit valutor dhe institucionet financiare jo banka, për të parandaluar pastrimin e parave, si dhe zhvillimin e analizave për rreziqet klimatike në sistemin bankar. Një tjetër detyrë është forcimi i bashkëpunimit me institucionet për mbrojtjen e konsumatorëve dhe luftën kundër dizinformimit financiar.
Në të njëjtën kohë, Kuvendi ka adresuar tre detyra për Këshillin e Ministrave, që lidhen me vendosjen e tavaneve për normat e interesit dhe penalitetet për kreditë konsumatore, ndryshimin e Kodit Civil dhe rishikimin e ligjit për shërbimin përmbarimor privat.
Kuvendi i lë 13 detyra BSH: Monitoroni kredinë për pasuritë e paluajtshme, kujdes me ndërhyrjet në tregun valutor
