Biznesmeni i njohur kosovar, Behgjet Pacolli është paraqitur paraditen e djeshme në Prokurorinë e Tiranës, ku ka është pyetur për tre orë (ka dëshmuar) si person në dijeni lidhur me hetimet që po kryhen për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës. Pacolli është kallëzues, por gjithashtu dhe i kallëzuar nga ortaku i tij Valon Ademi. Pacolli zotëron 98% të aksioneve të Aeroportit të Vlorës nëpërmjet kompanisë së tij “Mabco Construction SA”. Gjithashtu dhe Valon Ademi është aksioner dhe pronar i kompanisë ‘2A Group’. Pacolli është marrë në pyetje për disa orë nga prokurori Ndini Tavani. Pasi doli nga institucioni, Pacolli i është përgjigjur interesit të mediave ku qartësoi arsyen e thirrjes së tij në prokurori.
Ndër të tjera, Pacolli reagoi dhe kur u përmend Edi Rama, duke thënë se qeveria nuk ka asnjë lidhje me këtë çështje. “Dhashë dëshmi për përgjigjen penale që ne kemi parashtruar, dhe si person i informuar duket se është e drejtë që të shkoj dhe të tregoj kronologjinë e çështjeve. Pala tjetër ka bërë kallëzim, ne jemi përgjegjës. Vëllai im ka bërë kallëzim dhe unë isha si person i informuar për të plotësuar dosjen me informata. Qeveria nuk ka asgjë të bëjë. E padrejtë që të përmendet dikush nga qeveria. E kam lënë në duart e drejtësisë”, deklaroi Pacolli dje para mediave.
Manipulimi
Ndërkohë edhe disa ditë më parë biznesmeni nga Kosova Behgjet Pacolli ka reaguar në lidhje me përplasjen për aksionet e aeroportit të Vlorës me ortakun e tij, Valon Ademi, i cili është administratori i kompanisë “2A Group”. Pacolli ia hedh fajin noteres Valbona Selimi, e cila sipas tij, me një akt noterial të fshehtë, pa dijeninë e tij, dhe me deklarime të pavërteta, i ka kaluar 47% të aksioneve në emër të kompanisë “2A Group” të Valon Ademit. “Në një akt noterial të vitit 2023, (që noterja e përdor joligjerishtë si pjese e dokumentacionit për trensfer të pronës) të cilin ajo e cilëson si prokurë, noterja Selimi ka përfshirë deklarime të pavërteta, duke pretenduar me shkrim se unë, Behgjet Pacolli, paskam qenë fizikisht i pranishëm në zyrën e saj, ajo paskësh kryer identifikimin tim, më paskësh lexuar aktin në prani të një përkthyeseje të gjuhës angleze dhe se, pas miratimit tim, paskam nënshkruar dokumentin përkatës”, shkruan Pacolli në reagimin e tij në rrjetet sociale.
Ai shtoi më tej se nuk ka qenë ndonjëherë në zyrat e noteres Selimi, as nuk e njeh atë dhe se as nuk ka nënshkruar ndonjëherë një akt në prezencë të saj. Sipas Pacollit, ai akt noterial përbën një element themelor të veprimtarisë së dyshuar të kundërligjshme të ndërmarrë nga Valon Lluka, me të cilin, sipas tij, në fillim të muajit prill, ka tentuar te realizoi transferimin e 47% të aksioneve, duke e mbajtur atë të fshehur deri në momentin kur është zbuluar rastësisht 4 muaj me vonë më 18 gusht 2025.
Çfarë ka ndodhur?
Kujtojmë se Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për biznesmenin Behgjet Pacolli me të vëllanë Emin Pacolli, si dhe shtetasin Nelson Çela, administrator i kompanisë mëmë në Zvicër Mabco Construction S.A. Të tre ata janë nën hetim për mashtrim me pasoja të rënda, mashtrim kompjuterik, si dhe falsifikim të dokumenteve dhe akteve. Gjithashtu prokuroria ka pezulluar çdo aktivitet të Shoqërisë “Vlora International Airport – VIA” SH.P.K., duke pezulluar çdo vendim të planifikuar në Asamblenë e Përgjithshme të Ortakëve, e cila ishte caktuar të mbahej më 20 tetor 2025. Gjithashtu, në bazë të vendimit që publikoi gazeta ‘TemA’, pezullohet e drejta e votës e ortakut të shumicës, Shoqërisë “Mabco Constructions SA”, deri në regjistrimin e kontratës së shitjes së 49% të kuotave të kapitalit të shoqërisë VIA sh.p.k., të transferuara më 3 prill 2025 tek blerësi “2A Group” sh.p.k.
Hetimet për aeroportin e Vlorës, Behgjet Pacolli dëshmon për 3 orë në Prokurorinë e Tiranës, biznesmeni kosovar…
