Një mjek i spitalit të Fierit përfundoi në prangat e policisë pasi i merrte para pacientëve për të kryer ekot. Mjeku imazherist Gëzim Taullaj u kap në flagrancë teksa i merrte lekë pacientit që do të kryente ekon abdominale. Siç njoftoi policia, hetimet për të zgjatën 4 muaj.
“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, ka regjistruar procedimin penal nr.929 datë 01.07.2025, për veprën penale të dyshuar “Shpërdorimi i detyrës” dhe ”Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, hetim i cili pas 4 muajsh u finalizua me arrestimin në flagrancë të shtetasit G. T., 66 vjeç, banues në Fier, me detyrë mjek imazherist në spitalin rajonal Fier. Ky shtetas u kap në flagrancë duke marrë një shumë parash një pacienti që do të kryente ekon abdominale”, njoftoi policia.
Gjithashtu, mjeku në fjalë shpërdoronte detyrën. Gjatë orarit zyrtar të punës ai vizitonte pacientë edhe në dy klinika private në Fier.
Po ashtu janë sekuestruar edhe shuma të mëdha parash që ai i mbante në banesë. Bëhet fjalë për mbi 1.8 milionë lekë të reja, mbi 39 mijë euro, mbi 2 mijë paund dhe 75 dollarë.
U merrte para pacientëve për ekot, kapet në flagrancë mjeku në Fier! I gjenden edhe miliona lekë në banesë
