Me shpejtësi skëterrë dhe parakalime të gabuara, policia gjobit 165 drejtues në Tunelin e Murrizit

Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor vijon të jetë një problematikë tepër shqetësueses në vendin tonë. Kjo vihet re edhe nga numri i lartë i gjobave që Policia Rrugore vendos gjatë monitorimit të akseve të ndryshme. Në një njoftim për shtyp ditën e sotme, policia tha se nga monitorimi me dronë, radarë, kamera, makina inteligjente dhe patrulla me mjete të pauniformuara janë vendosur gjithsej 165 masa administrative me 40000 lekë të rinj dhe me zbritje prej 15 pikësh nga leja e drejtimit vetëm në Tunelin e Murrizit! Policia Rrugore apelon për zbatim me rigorozitet të rregullave të qarkullimit rrugor nga drejtuesit e automjeteve, motomjeteve, këmbësorët, si dhe nga ata që lëvizin me biçikleta ose me monopatina.
“Policia Rrugore intensifikon monitorimet e akseve rrugore, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore. Dronë, radarë, kamera, makina inteligjente dhe patrulla me mjete të pauniformuara, 24/7. Në bashkëpunim me administratorët e mirëmbajtjes së tuneleve, po monitorohen 24/7 lëvizjet në tunele dhe pamjet filmike të kamerave dhe radarëve të tuneleve administrohen nga Policia Rrugore. Për të gjitha shkeljet e konstatuara, Policia Rrugore vendos masën administrative, e cila pasqyrohet menjëherë në portalin e-Albania, në adresën e drejtuesit të automjetit apo subjektit që është konstatuar në shkelje të Kodit Rrugor, për të cilin, krahas masës administrative, aplikohet edhe sanksioni plotësues i zbritjes deri në 15 pikë nga leja e drejtimit.
Përgjatë dy javëve të fundit, në Tunelin e Murrizit janë ndëshkuar 165 drejtues automjetesh me masë administrative 40000 lekë të rinj dhe me zbritje prej 15 pikësh nga leja e drejtimit. Policia Rrugore apelon për zbatim me rigorozitet të rregullave të qarkullimit rrugor nga drejtuesit e automjeteve, motomjeteve, këmbësorët, si dhe nga ata që lëvizin me biçikleta ose me monopatina”, njoftoi dje policia.