Kryeministri Edi Rama ishte i ftuar në intervistën e tij për televizionin francez “TV5 Monde”, ku foli për zhvillimet më të fundit në Shqipëri, rolin e inteligjencës artificiale në qeverisje, sfidat klimatike, procesin e integrimit evropian dhe projektet e ardhshme turistike në vend.
Rama u ndal fillimisht te projekti inovativ për krijimin e një “Ministre të Inteligjencës Artificiale”, të quajtur Diella, e cila – siç tha ai me humor – “është shtatzënë me 83 këshilltarë”, që do të ndihmojnë deputetët përmes një sistemi inteligjent mbështetës në Parlament.
Në lidhje me krizën klimatike, kryeministri theksoi se Shqipëria është ndër vendet më të ekspozuara ndaj rreziqeve mjedisore dhe se nevojitet “ndryshim rrënjësor i sistemit të mbrojtjes”, pasi “as vendet më të fuqishme nuk mund të mbrohen dot vetëm”.
Në diskutimin për sigurinë dhe paqen ndërkombëtare, kryeministri shqiptar u shpreh kritik ndaj mungesës së një “plani europian për paqen” në lidhje me luftën në Ukrainë. “Nuk mjafton vetëm ndihma ushtarake – duket sikur diplomacia ka vdekur, dhe ka mbetur vetëm tamburi i luftës. Kjo është e papranueshme,” tha Rama.
Duke folur për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ai nënvizoi progresin e ndjeshëm të vendit në procesin e negociatave:
“Jemi në një fazë shumë të avancuar. Kemi hapur pesë nga gjashtë grup-kapitujt dhe shpresojmë të hapim edhe të gjashtin shumë shpejt. Kjo do të ishte një arritje rekord për Shqipërinë.”
Rama shtoi se lufta në Ukrainë ka ndikuar në “zgjimin e Europës për nevojën e një bashkimi më të fortë dhe më të gjerë”.
Në fund të intervistës, Rama u pyet për projektin e dhëndrit të Donald Trump, Jared Kushner, i cili synon të ndërtojë një kompleks turistik luksoz në një nga ishujt më të bukur të Mesdheut, në territorin shqiptar.
Kryeministri konfirmoi se negociatat për projektin janë ende në zhvillim dhe se qeveria shqiptare po punon për të garantuar standardet më të larta të qëndrueshmërisë mjedisore dhe ekonomike:
“Jo ende, por po negociojmë. Po punojmë gjithashtu mbi projektin që nuk përfshin vetëm ishullin, por edhe një pjesë të territorit përpara tij. Projekti po përmirësohet çdo ditë dhe, nëse arrijmë ta zbatojmë siç e kemi parashikuar, do të jetë një risi absolute për Mesdheun dhe një model për qëndrueshmëri”.
