Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë një videokartolinë lamtumire për ish-kryetarin e ndjerë të Partisë Socialiste, Fatos Nano, i cili u nda nga jeta një ditë më parë. Kreu i qeverisë thotë se Nano do të mbetet përgjithmonë në kujtimet e tij dhe se ai ka vendin e nderit në historinë e familjes socialiste.
“Dhe me këtë videokartolinë lamtumire për liderin historik të socialistëve, mikun tim të dikurshëm e të rigjetur sërish, Fatos Nanon, i cili u nda nga jeta pas një lufte sfilitëse me sëmundjen, por që nuk do të ndahet asnjëherë nga kujtimet tona e nga vendi i nderit në historinë e familjes sonë të madhe, u përcjell të gjithë atyre që e patën kryetar, shok e mik, ngushëllimet e mia vëllazërore”, shkroi Rama.
Në videon e shpërndarë në rrjetet sociale të kryeministrit Edi Rama tregohet e gjithë jeta politike e Fatos Nanos, që nga krijimi i Partisë Socialiste, burgosja, e deri te sfidat në qeverisjen e Shqipërisë.
Kujtojmë se homazhet dhe ceremonia funebre në nder të Fatos Nanos do të zhvillohen të dielën e 2 nëntorit, e cila është vendosur ditë zie kombëtare nga qeveria.
Nano u shkëput nga politika në vitin 2009 dhe ka qenë kryeministër gjatë viteve 1991, 1997-1998 dhe 2002-2005. Ai ishte themeluesi i Partisë Socialiste dhe kreu i parë i saj.
Rama video-kartolinë lamtumire për Fatos Nanon: Nuk do të ndahet asnjëherë nga kujtimet tona
