Nga Julia Vrapi
Politikat kulturore, mbështetja institucionale, transmetimi i muzikës kombëtare, statusi i artistit dhe një sërë çështjesh të tjera u trajtuan në konferencën shkencore mbarëkombëtare “Muzika shqiptare si krijimtari, interpretim, muzikologji dhe edukim artistik”. Në këtë konferencë u rikthye në qendër të vëmendjes debati shkencor mbi artin dhe krijimtarinë muzikore, ku të pranishëm ishin studiues, muzikologë, kompozitorë nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia e Veriut dhe ndër të tjera u soll në vëmendje edhe hartimi i një strategjie kombëtare me fokus të veçantë te muzika. Në konferencën organizuar në Akademinë e Shkencave u trajtuan një sërë problemesh e çështjesh ligjore, mes tyre edhe se duhet më shumë mbështetje institucionale për krijimtarinë muzikore shqiptare. Kjo konferencë është një iniciativë e komisionit të përhershëm të arteve pranë Akademia e Shkencave, i cili disa kohë më parë nën drejtimin e kryetarit akademik Vasil S. Tole zhvilloi një mbledhje mbi programin e saj. Ndërsa komiteti organizativ i konferencës përbëhej nga akad. prof. dr. Vasil S. Tole, prof. Arben Llozi, prof. asoc. dr. Rovena Vata Mikeli, prof. asoc. dr. Armira Kapxhiu, dr. Denis Bizhga. Përfundimet e konferencës shkencore mbarëkombëtare “Muzika shqiptare si krijimtari, interpretim, muzikologji dhe edukim artistik”, e mbajtur në Tiranë më 30 tetor organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Fakulteti i Muzikës në Universitetin e Arteve me pjesëmarrës studiues, përfaqësues institucionesh, muzikologë e kompozitorë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut u përmblodhën në disa rekomandime drejtuar institucioneve kryesore në vend.
Rekomandime në fushën e krijimtarisë muzikore
Në rekomandimet në fushën e krijimtarisë muzikore, të hartohet dhe të aprovohet një strategji kombëtare me fokus të veçantë te muzika dhe edukimi përmes saj (Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe Ministria e Arsimit); Të krijohet fondi vjetor i mbështetjes së krijimtarisë së re muzikore pranë Ministrisë së Kulturës, në Teatrin e Operës dhe të Baletit dhe në Radio Televizionin Shqiptar dhe të ketë konkurse për krijimtarinë e re muzikore (Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, TKOB, RTSH); Të plotësohet detyrimi i ligjit nr. 10352 “Për artin dhe kulturën”, kreu VIII “Tarifat e shpërblimit të cilësisë artistike”, neni 34 “Masa dhe kriteret e shpërblimit”, ku përmes VKM-së përkatëse duhet të aprovohet masa e shpërblimit të gjinive artistike sipas fushave të artit apo për kontributin e angazhimit të përkohshëm në projektet artistike (Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Këshilli i Ministrave). Po ashtu në rekomandime drejtuar institucioneve është dhe të plotësohet detyrimi i ligjit nr. 10352 “Për artin dhe kulturën”, kreu VIII “Tarifat e shpërblimit të cilësisë artistike”, neni 34 “Masa dhe kriteret e shpërblimit”, ku përmes VKM-së përkatëse duhet të aprovohet masa e shpërblimit për rezultate të larta, të arritura në konkurrime ndërkombëtare për artin e kulturën (Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Këshilli i Ministrave)apo dhe plotësohet detyrimi i ligjit nr. 10352 “Për artin dhe kulturën”, kreu VIII “Tarifat e shpërblimit të cilësisë artistike”, neni 34, ku përmes urdhrit përkatës të ministrit të përcaktohet organizimi i konkurseve kombëtare dhe skema të tjera vlerësimi në gjini të ndryshme të artit (Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit). Ndër të tjera rekomandimet janë dhe që të zbatohen realisht të drejtat morale dhe financiare të krijuesve në fushën e muzikës (përmes monitorimit konkret të përdorimit të veprave nga subjektet publike dhe private (Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Ministria e Financave, RTSH, Albautor) apo dhe të rritet numri i studentëve që studiojnë për kompozicion pranë Fakultetit të Muzikës në UART, duke përdorur praktika të njohura e lehtësi të natyrës administrative për nxitjen e studentëve në kryerjen e studimeve për kompozicion (Ministria e Arsimit, UART). Po ashtu dhe të aprovohet një listë veprash muzikore të krijimtarisë muzikore shqiptare të detyrueshme për t’u njohur dhe interpretuar në shkollat muzikore artistike në vend dhe në Universitetin e Arteve. (Ministria e Arsimit, UART, Shkollat e Mesme Artistike në Tiranë, Shkodër, Vlorë, Korçë, Durrës, Fier, Gjirokastër).
Rekomandime në fushën e interpretimit muzikor
Në rekomandime në fushën e interpretimit muzikor përmendet statusi i artistit dhe mbështetja financiare mujore e muzikantëve në profesion të lirë sipas modelit të ligjit francez (Kuvendi i Shqipërisë, MTKS, UART); Ndryshimi i ligjit mbi sponsorizimet nga 2-3 për qind në të paktën 10 për qind, zbritja nga tatimfitimi për bizneset (MTKS Ministria e Financave, Kuvendi i Shqipërisë); Krijimi i Fondit Kombëtar për Muzikantët e Rinj, bursë dhe mbulim i blerjeve të instrumenteve muzikore (MA, UART, MTKS); Formimi i Orkestrës Rinore Kombëtare, orkestrave rajonale dhe koreve rinore në shkolla dhe universitete, dhe praktikë profesionale të detyrueshme në orkestrat kombëtare për studentët e Akademisë (MTKS, Ministri i Shtetit për pushtetin vendor, TKOB dhe Orkestra simfonike e RTSH). Po ashtu rekomandimet janë dhe për ndërtimin e rrjetit kombëtar muzikor që lidh shkollat me drejtim artistik, Universitetin e Arteve dhe orkestrat muzikore (MA, MTKS, UART, Shoqata e Bashkive); Partneritete publike-private për financimin e muzikës dhe integrimi i muzikës në industrinë digjitale dhe kreative (Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministri i Shtetit për pushtetin vendor, Shoqatat e Biznesit); Krijimi dhe mbështetja në vijimësi e festivaleve kombëtare dhe ndërkombëtare që ofrojnë hapësira pune për artistët. (MTKS, Ministri i Shtetit për pushtetin vendor, shoqata e Bashkive; Financim i drejtpërdrejtë i instrumentistëve dhe këngëtarëve të rinj klasikë: subvencione për blerjen e instrumenteve dhe bursë për masterclass jashtë vendit, me detyrimin për të dhënë kontribut në Shqipëri brenda një periudhe 10-vjeçare nga koha e financimit (MTKS, MA, AKKSHI). Në rekomandime është dhe program kombëtar “Muzika për të gjithë” – hapja e shkollave 9-vjeçare të muzikës në çdo qytet të Shqipërisë (në çdo 100 000 mijë banorë) sipas parametrave europianë në lidhje me raportin me popullsinë. Shkollat të kenë kabinetin e muzikës, instrument piano, bateri dhe aparate transmetimi videomuzikore me cilësi stereofonike, si lexues CD-je, videoje apo medie të tjera (Ministria e Arsimit) apo dhe digjitalizim dhe promovim ndërkombëtar – platformë online ku promovohen talentet shqiptare në nivel global (Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministra e Turizmit, Kulturës dhe Sporti).
Rekomandime në fushën e edukimit artistik muzikor
Në përfundimet e kësaj konference janë dhe rekomandime në fushën e edukimit muzikor, si të ndërmerren nisma konkrete për zbatimin e 5 të drejtave muzikore bazë dhe të standardeve të “Road map for arts education”, dokument i UNESCO-s i aprovuar në konferencën kushtuar edukimit përmes artit, mbajtur në Lisbonë në mars të vitit 2006 (Ministria e Arsimit, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit); Të zbatohen detyrimet që rrjedhin nga “Konventa kuadër e të drejtave të fëmijëve”, neni 29 dhe 31, ku theksohet fakti se shtetet duhet të promovojnë të drejtën e fëmijëve për të marrë pjesë në jetën kulturore dhe artistike, si dhe të drejtën për të pasur mundësi të barabarta rikrijuese në të gjitha llojet e formave kulturore dhe artistike, pasi përmes edukimit fëmijët dhe të rinjtë do të ndërgjegjësohen për larminë e formave kulturore dhe përmes tyre do të mund të njohin tjetrin dhe kulturën e tij, për t’i shërbyer një të ardhmeje në paqe dhe zhvillim (MA, MTKS) apo dhe të krijohet Komiteti i Edukimit Artistik, që do të diskutojë dhe sugjerojë politikat e arsimit, muzikës, artit, kulturës dhe përfshirjen e tyre edhe në arsimin parauniversitar e universitar, por edhe në politikat e kulturës, duke krijuar harmoni midis tyre (Ministria e Arsimit, Akademia e Shkencave, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit). Në rekomandime drejtuar institucioneve është dhe rishikim i Planit Mësimor të Arsimit Parauniversitar 2025, duke rikthyer lëndën e Muzikës në arsimin 9-vjeçar me 2 orë në javë, sikurse ka qenë në Planin Mësimor të vitit 2000-2007 (MA, ASH). Të rikthehet tradita e konkurrimeve vjetore të ansambleve artistike dhe koreve të shkollave 9-vjeçare dhe gjimnazeve. Rekomandimet janë dhe që në shkollat artistike, një herë në dy-tre vjet të organizohen konkurrime kombëtare në qytete të ndryshme (MA) apo dhe rikonceptimi i programeve muzikore në RTSH publik dhe përmes koncerteve të Orkestrës Simfonike të RTSH-së. Transmetimi i muzikës kombëtare në radiot kombëtare dhe vendore, shtimi i programeve të edukimit muzikor nga TKOBAP përmes organizimit të “Koncerte për familje”, etj.
Rekomandime në fushën e muzikologjisë dhe studimeve muzikore
Përfundimet e konferencës “Muzika shqiptare si krijimtari, interpretim, muzikologji dhe edukim artistik” u përmblodhën në disa rekomandime drejtuar institucioneve kryesore në vend edhe në fushën e studimeve muzikore e muzikologjisë, si themelimi pranë ASHSH-së i një reviste muzikore online (ASH, Komisioni i Përhershëm i Arteve), Hapja e programeve të reja të studimit në fushën e etnomuzikologjisë, muziko-terapisë dhe teknologjive digjitale të regjistrimeve audio. Në vijim është dhe mbështetja e studiuesve të rinj, duke u ofruar mjetet, burimet dhe rrjetet e nevojshme për kërkim shkencor dhe krijimtari muzikore, duke nxitur, mbështetur dhe orientuar studiuesit e rinj (MA, ASH, Fakulteti i Muzikës-UART, Akademia e të Rinjve pranë ASH) apo dhe krijimi i një baze të dhënash për kompozitorët dhe veprat shqiptare (Qendra e Studimit të Arteve pranë ASH, UART); Krijimi i një biblioteke dhe arkivi shkencor muzikor, që përmbledhin literaturë, partitura, disertacione dhe publikime kërkimore, bibliotekat publike të kenë fonde të veçanta për blerjen e produkteve muzikore si CD, DVD, partitura dhe parte muzikore (Biblioteka Kombëtare, UART Biblioteka, Shoqatat e Bashkive, Qendra e Studimit të Arteve pranë ASH), etj.
