Vdekja e Nanos: si reaguan dy masakruesit politikë të tij?

Për vdekjen e Fatos Nanos, dy reagime priteshin me kërshëri: ai i Berishës, një masakrues i vërtetë verbal i të ndjerit, siç vijon ende, tashmë me pasardhësin e tij në krye të PS-së dhe qeverisë, si dhe i Veliajt, atij që kasta Nano në PS ia atribuon rrëzimin nga pushteti në 2005-ën, me Mjaft-in e tij dërrmues në aksione denoncuese me frymë opozitare.
Po si ishin reagimet e kësaj dysheje, të cilët u gjendën në një front anti-Nano asokohe, në fillimet e viteve ‘2000?
Shkruan Berisha, thatë, varfër, thjesht kortezialisht:  “Të dashur miq, Fatos Nano, ish-kryeministër i vendit dhe ish-kryetar i Partisë Socialiste, personalitet kryesor i të majtës shqiptare gjatë tranzicionit, mbylli sytë përgjithmonë.
Fatos Nano ka meritën e reformimit të Partisë Socialiste, anëtarësimin e saj në forume të majta ndërkombëtare si dhe pranimin nga ai vetë të rotacionit të pushtetit.
Me këtë rast shpreh ngushëllime familjes, miqve, të afërmëve të tij dhe socialistëve. Amen!”
Ndërsa Veliaj, plot veneracion, si pothuajse të gjithë socialistët:
“Me trishtim mora lajmin e ndarjes nga jeta të Fatos Nanos, kryetari që formësoi Partinë Socialiste dhe politikën moderne shqiptare.
Me vizionin e tij qytetar dhe thellësisht europian, ai besoi se e majta duhet të ishte hapje, debat dhe progres, jo thjesht dogmë.
Sot kujtojmë me respekt një udhëheqës tolerant e liberal, i cili diti t’i tregojë këto cilësi edhe me mua, vite më parë, në ditët e rebelimit aktivist.
Demokracia nuk matet me sa shumë flasim, por si debatojmë me qytetari dhe sa shumë dimë të dëgjojmë njëri-tjetrin. Sepse liria nuk është vetëm e drejta për të folur, por edhe përgjegjësia për të kuptuar.
Kjo ishte fryma që Fatos Nano i dha të majtës shqiptare dhe për çka duhet t’i jemi mirënjohës.
U prehtë në paqe”. /tesheshi.com/