Sagrada Familia, kisha më e lartë në botë

Sagrada Familia e Spanjës bëhet kisha më e lartë në botë, kjo pasi punëtorët vendosën pjesën e parë të kryqit në majë të kullës qendrore të saj, kushtuar Jezu Krishtit.

Pjesa e sapovendosur shënoi fillimin e fazës përfundimtare të ndërtimit të kullës, e cila do të arrijë 172.5 metra. Rekordi mbahej nga katedralja e Ulmit në Gjermani me një lartësi prej 161.5 metrash.

E projektuar nga arkitekti i njohur Antoni Gaudi, në vendin e adhurimit kryqi është i veshur me qeramikë dhe xham të bardhë, materiale të përzgjedhura për shkëlqimin dhe rezistencën e tyre ndaj motit.

Kryqi i plotë do të jetë 17 metra i lartë dhe 13.5 metra i gjerë, afërsisht sa madhësia e një ndërtese pesëkatëshe.

Gaudi punoi në bazilikë nga viti 1883 deri në vdekjen e tij në vitin 1926. Vitin tjetër, për të shënuar një shekull nga vdekja e tij, udhëheqësit e projektit shpresojnë të kenë përfunduar pjesën e jashtme të kullës kryesore, kushtuar Jezu Krishtit, duke e bërë atë ndërtesën më të lartë të Barcelonës.

Pasi të përfundojë, Sagrada Familia do të ketë 18 kulla. Papa Leoni i 14-të është ftuar të drejtojë një meshë përkujtimore dhe ceremoninë e hapjes së kullës në qershorin e ardhshëm.