Zgjedhja e anëtarëve të Komisionit Rregullator të KQZ, zbardhet arsyeja e shtyrjes së votimit

Votimi për zgjedhjen e Kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit Rregullator të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, është shtyrë për në seancën e ardhshme plenare.
Kjo u bë e ditur në një njoftim të Kuvendit, ku thuhet se në procesin e votimit në seancën e djeshme, opozita ishte larguar nga parlamenti.
“Votimi për këto pika të rendit të ditës që i takojnë përzgjedhjes së Kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit Rregullator të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, lidhet me nje vendimmarrje të dakordësuar paraprakisht mes grupeve parlamentare të mazhorancës dhe opozitës, e cila ishte parashikuar të votohej në seancën e datës 30 tetor 2025.
Në procesin e votimit në këtë seancë, opozita ishte larguar nga salla dhe pavarësisht dakordësisë politike të arritur ndërmjet mazhorancës dhe opozitës paraprakisht, për emrat e propozuar nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar për shqyrtimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve për Komisionin Rregullator të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nuk eshte arritur kuoorumi i nevojshëm prej 3/5 e anëtarëve.
Në përfundim të Seancës Kryetari i Kuvendit ka konstatuar mungesën e kuoorumit të nevojshëm për miratimin e këtyre projektvendimeve, është konsultuar me anëtarët e Sekretariatin për Procedurat, Votimet dhe Etikën dhe ka njoftuar shërbimet e Kuvendit që për këto pika të rendit të ditës të ri-përsëritet votimi në seancën e radhës”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.