Mbrojtësit e natyrës dhe komunitetet lokale po mbjellin mijëra bimë agave për të mbrojtur lakuriqët e natës në rrezik zhdukjeje – dhe njëkohësisht për të siguruar të ardhmen e prodhimit të tekilës në Meksikë.
Në shkretëtirën Chihuahuan të Meksikës qendrore, midis shkëmbinjve kafe të thatë, fshihen shpella të ftohta dhe të errëta. Brenda tyre, në fund të pranverës, strehohen mijëra lakuriqë të vegjël e me gëzof. Shumica janë femra shtatzëna që kanë nisur një udhëtim prej rreth 1,600 kilometrash, nga jugu i Meksikës drejt jugperëndimit të Shteteve të Bashkuara, ku do të lindin. Të uritura, ato fluturojnë me orë të tëra natën në kërkim të ushqimit, duke kaluar nga një bimë në tjetrën, duke mbledhur nektar dhe shpërndarë polen.
Një nga lulet e tyre të preferuara janë lulet e verdha me push të bimës agave – që çelin vetëm një herë në jetën shumëvjeçare të bimës. Agave, me gjethe të mprehta e të mishme, ka qenë për shekuj pjesë e rëndësishme e kulturës meksikane. Ajo përdoret për të prodhuar shurup, litarë, sapun, dhe mbi të gjitha, lëngu i saj është përbërësi kryesor i tekilës, një nga eksportet më të famshme të Meksikës.
Por bimët e egra të agaves po zhduken. Nga 168 lloje të studiuara, 42 janë të kërcënuara ose në rrezik të rëndë zhdukjeje. Kjo do të thotë më pak ushqim për lakuriqët që varen nga këto lule – dhe më pak lakuriqë do të thotë më pak pjalmim për agavet. Për ta thyer këtë cikël, mbrojtësit e mjedisit po punojnë me banorët lokalë për të mbjellë mijëra agave, duke ndihmuar në ushqimin e lakuriqëve dhe në ruajtjen e të ardhmes së tekilës.
Një nga speciet e lakuriqëve që varen nga agave – lakuriqi i natës me hundë të vogël e të gjatë – ka shënuar një rikuperim të jashtëzakonshëm: nga vetëm 1,000 individë në vitin 1988, popullsia ka arritur në rreth 200,000 sot. Por jo të gjitha speciet kanë pasur të njëjtin fat. Lakuriqi me hundë të madhe meksikan është zvogëluar me rreth 50% në dy dekadat e fundit dhe konsiderohet i rrezikuar. Një tjetër specie, lakuriqi me gjuhë të gjatë meksikan, është afër statusit të rrezikut.
Biologu Marco Antonio Reyes Guerra, pjesë e projektit Bat Friendly në Universitetin Kombëtar Autonom të Meksikës, punon me fermerët për të nxitur kultivimin e agaves që mbështet jetën e lakuriqëve. Ai thekson se shumë nga kërcënimet për lakuriqët vijnë nga vetë njerëzit: “Nëse shpella ku jetojnë shqetësohet, ata e braktisin dhe humbasin shtëpinë. Gjithashtu, pyjet e thata po shkatërrohen, dhe aty gjenden bimët që u shërbejnë si ushqim lakuriqëve, përfshirë edhe agavet.”
Shkencëtarët e Bat Conservation International (BCI) po përpiqen të përmbysin këtë rënie përmes Nismës për Rikthimin e Agaves, që përfshin mbjelljen dhe mbrojtjen e agave të egra përgjatë “korridorit të nektarit”, rrugës që ndjekin lakuriqët gjatë migrimit të tyre. “E gjithë kjo nisi sepse, sapo këto specie migratore largohen nga Meksika qendrore, ato varen plotësisht nga agavet,” shpjegon biologja Ana Ibarra nga BCI.
Por edhe agavet e egra përballen me kërcënime: ato korrën për prodhimin e pijeve alkoolike, ngrënë nga bagëtitë, humbin habitatin për shkak të bujqësisë dhe vuajnë nga thatësira e shkaktuar prej ndryshimeve klimatike. Me më pak lakuriqë që pjalmojnë, agavet shumohen më rrallë. Në fakt, agavet varen nga lakuriqët për riprodhim po aq sa lakuriqët varen nga agavet për ushqim.
“Lakuriqët dhe agavet kanë bashkë-evoluar për miliona vjet,” shpjegon Reyes Guerra. Me hundët dhe gjuhët e gjata, lakuriqët arrijnë të ushqehen nga lule të ngushta në formë hinke, duke mbledhur polen në fytyrën dhe qimet e tyre. “Nëse lakuriqët mungojnë, agavet ndoshta nuk do të prodhonin asnjë farë për t’u shumuar, sepse ato pjalmohen vetëm një herë në jetë.”
Pa ndërhyrje dhe përballë ndryshimeve klimatike, shkencëtarët parashikojnë se deri në vitin 2050, lakuriqët e kërcënuar do të kenë 75% më pak qasje në nektarin e agaves sesa sot.
Për suksesin e përpjekjeve të ruajtjes, agavet duhet të arrijnë të plaken mjaftueshëm për të lulëzuar – jo vetëm për lakuriqët, por edhe për vetë mbijetesën e tyre. Fermerët që kultivojnë agave për tekilë shpesh presin kërcellin për të parandaluar lulëzimin, në mënyrë që bima të zhvillojë një “zemër” (piña) më të madhe për korrje. Kështu, bima riprodhohet vetëm përmes “fidanëve” – klone gjenetike të bimës mëmë – duke ulur diversitetin gjenetik dhe qëndrueshmërinë ndaj thatësirës, sëmundjeve dhe dëmtuesve. “Është një rrezik i madh për industrinë e agaves dhe mezkalit,” thotë Reyes Guerra. “Për të mbijetuar, agavet kanë nevojë për pjalmim.”
“Pa lakuriqët, tekila dhe mezkal nuk do të ekzistonin fare,” shton ai. “Nëse njerëzit duan të vazhdojnë të pijnë tekilë dhe mezkal, duhet të mendojnë edhe për lakuriqët – dhe për ruajtjen e tyre.”
Që prej nisjes së Nismës për Rikthimin e Agaves në vitin 2018, ekipi dhe komunitetet lokale kanë mbjellë mbi 180,000 bimë agave vendase, ndërsa 150,000 të tjera po rriten nga fara në çerdhe në Teksas, Arizona, Nju Meksiko dhe në zona të ndryshme të Meksikës./Marrë nga BBC – Syri.net
