Parandalimi i trafikimit të paligjshëm të objekteve kulturore, specialistë e ekspertë mblidhen në takim në Apoloni   

Parandalimi i trafikimit të paligjshëm të objekteve kulturore ishte në qendër të takimi që mblodhi specialistë të fushës së trashëgimisë kulturore përfaqësues të institucioneve e më gjerë.
Këto ditë në parkun arkeologjik të Apolonisë u zhvillua tryeza e dytë e rrumbullakët me temë “Nga sfidat te rekomandimet – Forcimi i bashkëpunimit dhe angazhimit për të parandaluar trafikimin e paligjshëm të objekteve kulturore”. CHwB Albania shprehet se kjo tryezë ofroi hapësirë për diskutim dhe shkëmbim mendimesh ndërmjet aktorëve kyç lokalë dhe kombëtarë, me fokus në identifikimin e sfidave dhe përcaktimin e rekomandimeve konkrete për përmirësimin e bashkëpunimit institucional në mbrojtje të trashëgimisë kulturore.  “Pjesëmarrësit e vlerësuan nismën si një hap konkret drejt forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe si një kontribut të rëndësishëm në luftën kundër trafikimit të objekteve kulturore”, thuhet ndër të tjera për këtë takim.
Ky aktivitet u organizua në kuadër të projektit “Ngritja e kapaciteteve lokale dhe bashkëpunimi i strukturave ligjzbatuese për të luftuar trafikimin e paligjshëm të trashëgimisë kulturore shqiptare”, që zbatohet nga Cultural Heritage without Borders – Albania (CHwB Albania), me mbështetjen e Programit të Granteve për Zbatimin e Marrëveshjes për Pronën Kulturore (CPAIG) të Departamentit të Shtetit të SHBA-së, përmes Ambasadës së SHBA në Shqipëri. Pas tryezave të mbajtura në Gjirokastër dhe Apoloni, dy aktivitete të tjera do të zhvillohen së shpejti në Shkodër dhe Korçë.