Industria evropiane e makinave ndodhet në ankth, pasi prodhuesit paralajmërojnë se linjat e montimit mund të mbyllen në ditët në vijim për shkak të një mungese akute të gjysmëpërçuesve nga Kina.
Sipas Guardian, Shoqata Evropiane e Prodhuesve të Automobilave (ACEA), anëtarët e së cilës përfshijnë BMW, Fiat, Peugeot dhe Volkswagen, ka lëshuar një paralajmërim urgjent, me drejtoreshën e përgjithshme Sigrid de Vries që thekson se kompanitë tani po operojnë me stoqe “rezervë” që po mbarojnë me shpejtësi: “Ndërprerjet e prodhimit mund të jenë çështje ditësh. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të gjejnë menjëherë një zgjidhje diplomatike.”
Mercedes, sipas CEO-s Ola Källenius, po kërkon burime alternative furnizimi në të gjithë botën. Në Japoni, drejtori kryesor i performancës së Nissan, Guillaume Cartier, tha se furnizimet me çipa “do të zgjasin vetëm” deri në javën e parë të nëntorit.
Kriza u intensifikua pasi Ministria e Tregtisë e Kinës vendosi të bllokojë eksportet e produkteve Nexperia nga fabrikat në Kinë, në përgjigje të marrjes në kontroll të kompanisë nga qeveria holandeze dhe pezullimit të drejtorit ekzekutiv kinez pas shqetësimeve të SHBA-së për çështjet e sigurisë. Edhe pse shumica e gjysmëpërçuesve të Nexperia prodhohen në Evropë, rreth 70% paketohen në Kinë para shpërndarjes, duke i përkeqësuar problemet.
Prodhuesit evropianë thonë se ndërsa furnizuesit alternativë janë të disponueshëm, ndërtimi i kapaciteteve shtesë kërkon muaj – kohë që industria nuk e ka. Goditja vjen përveç kufizimeve të rivendosura të Pekinit mbi eksportet e metaleve të rralla, të cilat janë kritike për shumë sisteme në automjetet moderne.
Wingtech, kompania mëmë e Nexperia-s, akuzoi qeverinë holandeze për “veprime të pamatura” që po prishin zinxhirin global të furnizimit. Burimet evropiane thonë se ka vend për kompromis, por ACEA paralajmëron se “koha po mbaron” dhe se efektet më të këqija të mungesës mund të ndihen së shpejti. /tesheshi.com/
Kriza e gjysmëpërçuesve në Evropë
