Mërtiri: Gjykata nuk do t’i pengojë zgjedhjet, ja skenari që po ndjekë Veliaj

Analisti Ergys Mërtiri tha se paraqitja e Lulzim Bashës në SPAK pasditen e sotme tregon se, për herë të parë, kemi vendosjen në vend të drejtësisë, ku fajtorët e vërtetë shkojnë përpara drejtësisë.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus, me moderator Roland Zilin, Mërtiri tha se gjykata nuk do t’i pengojë zgjedhjet në Tiranë.
Ai shtoi se Veliaj po e përdor këtë çështje thjesht për t’u mbrojtur nga hetimi.
Sa i përket opozitës, analisti deklaroi se opozita ka bërë mosbindje civile në Parlament, por tashmë as këtë nuk e bën dot, sepse, sipas Mërtirit, s’ka më fuqi ta bëjë.
INTERVISTA E PLOTË:
Besoni se paraqitja e z.Bashës në SPAK tregon që drejtësia më së fundi po lëviz për një nga dosjet më të bujshme të viteve të fundit, pikërisht vrasjen e protestuesve në 11 janar 2011?

Mërtiri: Sigurisht, kjo është një çështje shumë e rëndësishme. Është një çështje jo thjesht e bujshme, por është një çështje e cila vërtetë është, të themi, tregues shumë i keq i gjendjes së pandëshkueshmërisë në këtë vend. Përderisa nuk kemi të bëjmë me krime të kryera në fshehtësi, por janë krime të kryera në bulevard, në sytë e të gjithëve, përpara kamerave, në sytë e të gjithë shqiptarëve. Është një krim shtetëror i pahetuar, dhe rikthimi i kësaj çështjeje, fillimi i hetimeve dhe fakti që po shkohet deri te dëshmitarët e një niveli të lartë, pra po shkohet deri tek Basha, i cili deri tani nuk ishte thirrur më parë në pyetje, tregon që këtu hetimi duket se është futur në hulli serioze. Për herë të parë kemi vendosjen në vend të drejtësisë, ku fajtorët e vërtetë të shkojnë përpara drejtësisë. Kjo ndryshon nga ajo siç është bërë deri tani, ku të dyja palët kanë luajtur me të vrarët dhe familjarët e të vrarëve. Njëra palë i ka vrarë, kurse pala tjetër i përdor politikisht; madje, vrasësit i strehon në administratë, u jep poste. Tani, kjo mendoj do jetë një hap, një stad i ri i ndëshkueshmërisë në këtë vend, duke shkuar deri në nivele të larta për të gjykuar një krim politik.
Nesër në mëngjes, zoti Veliaj do të jetë në Gjykatën Kushtetuese për të marrë pjesë në seancën ndaj tij, pra për kërkesën e tij për të quajtur të paligjshme shkarkimin nga detyra e kryebashkiakut të Tiranës. Si mendoni si do të ndikojë ky proces, ose në çfarëdolloj rasti vendimi i Kushtetueses, në fushatën për Tiranën, në garën për Tiranën, në sjelljen politike të mazhorancës?
Mërtiri: Unë mendoj që gjykata do të tregohet e arsyeshme dhe nuk do të pengojë procesin e zgjedhjeve. Procesi ka nisur, e para, dhe e dyta, procesi duhet të shkojë deri në fund. Kapja pas çështjeve teknike, gjithë ky debat, gjithë kjo stuhi në gotë, është për asgjë. Pra, bëhet fjalë: A duhet apo s’duhet të ishte Erion Veliaj në mbledhje në ditën e shkarkimit të tij? Ndërkohë që Erion Veliaj ka më shumë se gjashtë muaj që nuk shkon në bashki dhe me sa duket ai nuk do të jetë në bashki. Atëherë, pse duhet të qëndrojë bashkia për dy vjet pa kryetar, dhe pse duhet të qëndrojë me nënkryetar, pra të mos ketë një kryetar real? Të gjitha këto janë lojëra, dhe duket qartë që Veliaj po e përdor këtë çështje thjesht për t’u mbrojtur nga hetimi. Po e përdor këtë si shantazh ndaj hetimit, ndaj SPAK-ut. Po e përdor këtë si një mburojë. Unë nuk besoj që Gjykata Kushtetuese do t’i bëhet mburojë Erion Veliajt për ta përdorur pozicionin, të cilin nuk e ushtron, thjesht si mburojë nga një hetim për krime të cilat realisht i ka bërë.
Në kampin tjetër politik, tek opozita, edhe sot ajo dështoi, le të themi, të arrinte qëllimin e saj për shkarkimin e zotit Peleshi, kryetarit të Kuvendit. Në fakt, kjo ishte dje, sepse votat nuk i kishte. Po, përse sipas jush, opozita futet në këto aksione të tilla kur dihet fundi?
Mërtiri: Sepse, siç e kam thënë gjithmonë, opozita është në krizë. Duke qenë në krizë, ajo ka nevojë për aksion. Duke qenë se ajo nuk prodhon dot aksion sepse njerëzit nuk i shkojnë pas, ajo nuk mbush dot sheshe. Deri tani ajo ka bërë atë që e quan mosbindje civile në Parlament, por dukshëm tashmë as këtë nuk e bën dot, sepse s’ka më fuqi ta bëjë, dhe sepse tashmë duket që pushteti nuk po ia jep këtë “kockë” që ia dha para zgjedhjeve. Ajo hyn në sherr, hyn në konflikt me gjëra pa vlerë. Siç është, në fillim e nisi konfliktin me Diellën, pastaj konflikt me Niko Peleshin, pastaj konflikt me Presidentin e Republikës për çështje dekreti pa vlerë. Dhe vetëm betejën e saj serioze me Edi Ramën dhe betejën e saj për kredibilitet politik në sytë e shqiptarëve, për të fituar besueshmërinë e shqiptarëve, vetëm këtë nuk e bën. Sepse, që ta bëjë këtë, ajo duhet të pastrojë vetveten, duhet të reformohet, duhet të largojë figurat e kalbura të cilat vazhdon i ka prej 35 vitesh aty. Por, në mungesë të vullnetit për ta bërë këtë, atëherë prodhon tym kot dhe zhurmë kot, e cila në fakt vetëm nder i bën qeverisë, vetëm ia përmirëson imazhin qeverisë, sepse përkeqëson imazhin e vetë opozitës.
/vizionplus.tv