Lamallari: Kodi i ri Penal nuk vlerësohet nga numri i dispozitave, por me cilësinë dhe garancitë që jep

Në seancën e sotme në Kuvend, ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, duke iu përgjigjur interesimit të deputetëve për Kodin e ri Penal, tha se ai nuk matet me numrin e dispozitave, por me cilësinë dhe garancitë që jep. Lamallari solli në vëmendje se edhe shtete të tjera në Evropë kanë Kod Penal me numër të lartë dispozitash.
“Unë nuk mendoj që Kodi Penal matet me numrin e dispozitave që ai ka, por në thelb matet me cilësinë dhe garanticë që ai ofron në mbrojtje të interesit publik, të qytetarëve, të ekonomisë dhe parandalimit të tendencave kriminale. Nuk është nevoja të bëj referenca në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian të cilat kanë Kode me 700 apo 800 dispozita, si Italia, Spanja etj. Si harmonizohen dispozitat në një Kod kjo i përket teknikës legjislative. E rëndësishme është që ne të adresojmë 54 direktivat e Bashkimit Europian të cilat duhet të bëhen pjesë e kuadrit ligjor vendas. Dhe në fund të kemi një produkt që garanton gjithëpërfshirjen dhe transparencën”, tha Lamallari.
Në vijim të fjalës së tij, Ministri i Drejtësisë theksoi se në finale të këtij procesi do të kemi një produkt i cili ka për të qenë më i miri që Shqipëria ka pasur ndonjëherë dhe se Kodi i ri Penal do të ketë gjithashtu dakordësinë e Komisionit Evropian.

Ministri Lamallari tërhoqi gjithashtu vëmendjen e deputetëve, që nuk janë të pranishëm në sallë për të dëgjuar raportimet që bëjnë krerët e institucioneve të drejtësisë.
Ai tha gjithashtu së është miratuar Udhëzimi për Metodologjinë e Mbledhjes së të Dhënave Statistikore të Sistemit të Drejtësisë, si dhe po ecën shumë mirë puna për Regjistrin Elektronik të Dokumentacionit për Cështjet Pronësore.