Vakancat në institucionet e drejtësisë janë shkaku kryesor i zgjatjes së proceseve hetimore. Gjatë raportimit vjetor në Parlament, kryetarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdani, bëri me dije se është kërkuar edhe asistencë nga BE për menaxhimin e dosjeve.
“Situata është e njohur për shkak të vakancave në sistem. Ka pasur ngarkesë jo të arsyeshme më të lartë krahasuar me situatën përpara vettingut. Gjithsesi, lidhur me funksionalitetin e zyrës apo stokun e tyre, kemi kërkuar asistencë nga një projekt i BE-së që të targetojmë dhe të kemi një studim për një strategji ose disa hapa që duhet të ndjekim për të ulur ngarkesën në Prokurori.”
Bogdani shtoi se stafi pritet të shtohet brenda dy viteve të ardhshme.
“Për vitin 2024, numri i prokurorëve është 218, nga 341 që parashikohen në sistem. Aktualisht kemi 284 prokurorë, 57 vakanca të përhershme dhe 39 vakanca të përkohshme. 57 të përhershmet planifikohet të mbyllen në harkun kohor prej 2 viteve e gjysmë, pasi të emërohen magjistratët prokurorë vitin që vjen dhe dy vitet pasardhëse.”
Kryetarja e KLP-së iu përgjigj edhe pyetjeve të deputetëve, sa i përket kritikave të Kryeministrit Edi Rama për disa vendime të prokurorëve dhe gjyqtarëve.
“Vendimet e gjykatave mund të komentohen, ne nuk jemi imunë ndaj kritikave. Ajo që mund të theksohet është liria e shprehjes, por bazuar ose e kufizuar në çështje që lidhen me interesin publik apo ruajtjen e reputacionit të sistemit të drejtësisë. Të gjitha proceset mund të komentohen brenda kuadrit etik, natyrisht brenda garancive dhe kufizimeve.”
Sa i përket sigurisë së përfaqësuesve të drejtësisë, Bogdani shtoi se në vitin 2024, 11 prokurorë kanë kërkuar mbrojtje të plotë për ta dhe familjet e tyre, ndërsa gjatë këtij viti mbrojtje kanë kërkuar 7 prokurorë.
/vizionplus.tv
