Athina po përballet me rrezikun më serioz të mungesës së ujit në tre dekadat e fundit, si pasojë e ndryshimeve klimatike dhe thatësirave të zgjatura. Për të shmangur një krizë të mundshme, qeveria greke ka nisur një plan emergjent të menaxhimit të ujit me vlerë 2.5 miliardë euro, që synon të sigurojë furnizimin e qëndrueshëm për dekadat e ardhshme.
Ministri i Mjedisit dhe Energjisë, Stavros Papastavrou, dhe Kryeministri Kyriakos Mitsotakis shpallën projektin gjatë ceremonisë së 100-vjetorit të Kompanisë së Ujësjellësit dhe Kanalizimeve të Athinës (EYDAP), duke theksuar se uji do të mbetet një e mirë publike dhe një nga më cilësorët në Evropë.
Në qendër të planit është projekti për devijimin e pjesshëm të lumenjve Krikeliotis dhe Karpenisiotis drejt rezervuarit Evinos, që furnizon kryeqytetin grek. Ky projekt pritet të përfundojë deri në vitin 2029, një shekull pas ndërtimit të Digës historike të Maratonës, dhe do të garantojë furnizim të qëndrueshëm me ujë për Atikën për 30 vitet e ardhshme.
Përveç kësaj, EYDAP po zbaton masa afatshkurtra, duke përfshirë shfrytëzimin e puseve të reja në Mavrosouvala, Ymittos dhe Kifisos Beotian, që do të shtojnë deri në 150 milionë metra kub ujë në vit.
Në plan janë edhe dy projekte të tjera afatmesme:
• Ndërtimi i një tubacioni të ri që do të lidhë sistemin e furnizimit me impiantet e desalinizimit;
• Ndërtimi i një impianti të ri të desalinizimit në tokë, me kapacitet deri në 87.5 milionë metra kub ujë në vit.
Kryeministri Mitsotakis paralajmëroi se Atika mund të përballet me probleme serioze nëse nuk ndërmerren masa urgjente:
“Shpresa nuk është strategji. Duhet të përgatitemi për skenarin më të keq. Kriza e furnizimit me ujë e viteve 1990 nuk duhet të përsëritet kurrë.”
Qeveria gjithashtu planifikon të zgjerojë fushëveprimin e EYDAP dhe EYATH, duke përfshirë edhe ujitjen bujqësore në zonat e tyre të mbulimit, si dhe të konsolidojë mbi 750 ofrues lokalë të ujit për një menaxhim më të koordinuar dhe efikas të burimeve ujore në mbarë vendin.
