Një ndër gazetat më prestigjoze në Shtetet e Bashkuara, The Washington Post ka shkruar një artikull për kandidaturën e pavarur të aktorit të humorit, Florjan Binaj për bashkinë më të madhe në vend, Tiranën.
Më poshtë, artikulli i përshtatur në shqip në mënyrë të përmbledhur:
Diçka e pazakontë po ndodh në Shqipëri. Qeveria ndaloi TikTok-un për të mbrojtur të rinjtë nga ndikimi i mediave sociale, dhe kryeministria emëroi një chatbot Inteligjence Artificiale si ministër për të luftuar korrupsionin. Tani, një nga aktorët e humorit më të njohur në vend, i famshëm për imitimet e tij të kryeministrit Edi Rama, po kandidon për kryetar të bashkisë në kryeqytet.
Florjan Binaj, i cili njihet për humorin e tij satirik dhe me 18 vite eksperiencë në televizion, njoftoi kandidaturën e tij të pavarur për Tiranën, mbështetur nga Partia Demokratike.
Ai premton përmirësimin e cilësisë së jetës në kryeqytet, me urbanistikë më të mirë, shërbime më të shumta dhe më shumë shkolla. Binaj është gjithashtu aktivist, ambientalist dhe arkitekt! Kandidaturën e tij e sheh si një mënyrë për të çliruar politikën nga partitë tradicionale dhe për të sjellë më shumë profesionistë dhe njerëz të pavarur në qeverisje.
Analistët e shohin kandidaturën e Binajt si një eksperiment demokratik të rrallë, një shenjë e lodhjes së qytetarëve me politikat tradicionale dhe dëshirës për autenticitet, edhe nëpërmjet humorit.
Kandidatura e tij gjithashtu pasqyron përpjekjet e Shqipërisë për të treguar inovacion dhe për t’u diferencuar, një element që mund ta ndihmojë vendin në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Shqipëria ka bërë hapa përpara në ndërtimin e një ekonomie moderne, mbrojtjen e lirisë së medias dhe promovimin e sundimit të ligjit. Sipas vlerësimeve në Bruksel, Shqipëria dhe Mali i Zi konsiderohen kandidatët më të fortë për t’u bërë pjesë e BE-së, ndërkohë që zgjerimi i bllokut shihet edhe si një strategji kundër agresionit rus në lindje.
Përpara zgjedhjeve të parakohshme më 9 nëntor, që u bëjnë të nevojshme pas largimit nga detyra të ish-kryebashkiakut Erion Veliaj, kandidatura e Binajt është një nga rastet më të spikatura të një artisti që hyn në politikë, duke sjellë një frymë ndryshe dhe duke sfiduar normat e politikës shqiptare.
Kujtojmë se më 6 tetor të këtij viti, në një deklaratë për mediat, kryedemokrati Sali Berisha tha se “PD-ja mbështet Binajn në zgjedhjet për bashkinë më të madhe në vend”.
“Asnjë hap nuk do të ndërmerret pa kandidatin. Nëse kemi rënë dakord për një kandidat të pavarur, nuk do i diktojmë atij, ai do gjejë ndihmën që kërkon nga forca jonë politike dhe të tjera”, theksoi Berisha atë ditë.
Ndërkohë, numri një i kabinetit, Edi Rama, në podcastin e tij të 26 tetorit e thumboi e ironizoi këtë kandidaturë.
“Këneta është kaq e dëshpëruar sa për Tiranën ka nxjerrë një actor humori në rolin e një kandidati gjasme të pavarur që për vite të tëra i ka bërë për të qeshur të gjithë pa dallim, madje edhe vetë Kongresin e Partisë Socialiste e ka shkrirë gazit, kur ka ardhur një herë për të luajtur rolin tim. Prandaj unë nuk e gjykoj, hiç as fare, aktorin për rolin e ri që ka marrë se aktorët atë punë kanë, me role jetojnë! Po kush voton mua dhe PS-në, duhet të votojë Ogerta Manastirliun, që t’i japë Tiranës drejtuesin e duhur dhe qeverisë partneritetin e domosdoshëm për të vazhduar pa ndalur punën transformuese për kryeqytetin e Shqipërisë 2030, kryeqytetin e Europës së Ballkanit!”, tha kryeministri i vendit.
