Trump shtrëngon duart me Xi, ulen tensionet tregtare, diskutohet edhe lufta në Ukrainë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe lideri i Kinës, Xi Jinping, zhvilluan bisedime në Korenë e Jugut, ku folën për luftën në Ukrainë dhe u pajtuan t’i ulin tensionet e larta tregtare mes Uashingtonit dhe Pekinit.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë u tha gazetarëve se do ta zbresë tarifën ndaj Kinës në 10 përqind.
“Siç e dini, kam vendosur një tarifë 20 përqind mbi Kinën për shkak të fentanylit që po vjen, e cila është një tarifë e madhe. Dhe duke u bazuar në deklaratat e tij sot, unë e ulë atë në 10 përqind. Pra, tani është 10 përqind në vend të 20 përqind, dhe do të hyjë në fuqi menjëherë.”

Fokusi i diskutimeve ishin dhe mineralet e rralla.
“Të gjitha çështjet e mineraleve të rralla janë zgjidhur, pra në nivel botëror… Kjo ishte një çështje globale, jo vetëm e SHBA-së. Nuk ka më pengesa nga Kina.”
Trump shtoi se me presidentin Xi foli gjithashtu për luftën në Ukrainë, e nisur nga Rusia në shkurt të vitit 2022.
“Të dy do të punojmë së bashku për të parë nëse mund të arrijmë diçka. Ne biem dakord që palët janë, e dini, të bllokuara, duke luftuar dhe ndonjëherë duhet t’i lësh të luftojnë, por ai do të na ndihmojë dhe ne do të punojmë së bashku për Ukrainën.”
Para takimit, Ukraina dhe aleatët e saj i bënë thirrje Trumpit të ushtrojë trysni ndaj Xi Jinpingut për ta ndaluar mbështetjen ndaj Rusisë. Takimi erdhi një javë pasi Uashingtoni njoftoi sanksione ndaj dy kompanive të mëdha ruse të naftës.
/vizionplus.tv

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *