Udhëheqësit bien dakord të shtyjnë kufizimet e eksportit për mineralet e rralla dhe gjysmëpërçuesit pas samitit në Korenë e JugutDonald Trump dhe Xi Jinping kanë rënë dakord të shtyjnë zbatimin e kontrolleve të eksportit për mineralet e rralla dhe çipat si pjesë e një marrëveshjeje të gjerë tregtare njëvjeçare, të arritur në një samit në Korenë e Jugut.SHBA dhe Kina njoftuan gjithashtu se kanë arritur marrëveshje për tarifat që lidhen me substancën narkotike fentanil dhe për tarifat hakmarrëse ndaj industrive të transportit detar të njëra-tjetrës, ndërsa të dy liderët kërkuan të zbusin tensionet gjatë takimit të tyre të parë pas gjashtë vitesh.“Ishte një takim i mrekullueshëm,” tha presidenti amerikan për gazetarët në bordin e avionit presidencial Air Force One, teksa kthehej në Uashington të enjten. “Në një shkallë nga 0 në 10, ku 10 është më e mira, takimi ishte 12.”Trump tha se të dy palët kishin rënë dakord për një “sërë vendimesh të shkëlqyera” dhe se SHBA dhe Kina do të nënshkruajnë “shumë shpejt” një marrëveshje tregtare.“Nuk kemi shumë pengesa,” tha ai. “Çdo vit do të rishikojmë marrëveshjen, por besoj se ajo do të zgjasë shumë më gjatë se një vit.” Armëpushimi tregtar ishte parashikuar të skadonte muajin e ardhshëm, duke rrezikuar rikthimin e tarifave mbi 100%.Trump tha se të dyja palët kishin zgjidhur mosmarrëveshjen mbi mineralet e rralla, materiale kritike për prodhuesit globalë. Kina dominon zinxhirin e furnizimit me këto minerale dhe kishte vendosur më herët këtë muaj kufizime të gjera të eksportit, që shkaktuan një përshkallëzim të fortë të tensioneve.Ai po ashtu njoftoi se kishte rënë dakord të përgjysmonte tarifën ndaj Kinës për produktet që lidhen me fentanilin, nga 20% në 10%, pasi Xi ishte zotuar “të punojë shumë” për të frenuar eksportet e përbërësve kimikë që përdoren për prodhimin e opioideve. “Mendoj se do të shihni disa veprime të konkrete,” tha Trump. Ulja e tarifës për fentanilin e çon nivelin mesatar të detyrimeve doganore mbi importet nga Kina në 45%.Trump tha se të dy udhëheqësit kishin diskutuar gjithashtu për gjysmëpërçuesit dhe se kompania Nvidia do të zhvillonte bisedime me Kinën për eksportin e çipave, por theksoi se diskutimet nuk kishin përfshirë mikroelektronikën më të avancuar.Presidenti shtoi se do ta vizitojë Kinën në prill dhe se Xi do të bëjë një vizitë të ndërsjellë në SHBA.Pas samitit, ministria kineze e tregtisë konfirmoi se Pekini kishte rënë dakord të pezullojë zbatimin e kufizimeve të eksportit të mineraleve të rralla dhe se SHBA do të pezullojë zgjatjen e kufizimeve të saj për eksportet e teknologjisë ndaj filialeve të kompanive kineze, të shpallura në fund të muajit të kaluar, gjithashtu për një periudhë njëvjeçare.“Përveç kësaj, të dyja palët arritën konsensus për çështje si bashkëpunimi në kontrollin e fentanilit, zgjerimi i tregtisë bujqësore dhe trajtimi i rasteve të veçanta që përfshijnë kompani përkatëse,” tha ministria kineze.Ajo shtoi se Kina kishte rënë dakord “të punojë me SHBA-në për të zgjidhur në mënyrë të përshtatshme çështjet që lidhen me TikTok-un”. Më herët, Trump kishte deklaruar se Kina kishte pranuar të lejonte që kontrolli i aplikacionit të videove të shkurtëra në SHBA të kalonte nën administrim amerikan.Mediat shtetërore kineze nuk cituan Xi-në duke konfirmuar marrëveshjet. Por organi zyrtar i Partisë Komuniste, gazeta People’s Daily, citoi Xi-në të ketë thënë: “Të dy ekipet duhet të përmirësojnë dhe finalizojnë punën pasuese sa më shpejt të jetë e mundur, të mbështesin dhe zbatojnë konsensusin dhe të sjellin rezultate konkrete.”Trump theksoi se gjatë takimit nuk ishte diskutuar çështja e Tajvanit. Disa ekspertë kishin shprehur shqetësimin se presidenti amerikan mund të bënte lëshime lidhur me Tajvanin, mbi të cilin Kina pretendon sovranitet, për të lehtësuar arritjen e një marrëveshjeje. “Tajvani nuk u përmend. Nuk u diskutua,” tha Trump.Në një postim në rrjetin Truth Social nga Air Force One, Trump njoftoi se SHBA po punon me Kinën për të siguruar një “marrëveshje me përmasa shumë të mëdha” që përfshin naftën dhe gazin nga Alaska, pa dhënë më shumë detaje.Bisedimet në qytetin portual Busan të Koresë së Jugut, ku të dy liderët morën pjesë në forumin e Bashkëpunimit Ekonomik Aziatiko-Paqësor (APEC), zgjatën rreth 90 minuta.Në fjalët hyrëse të samitit, Trump e përshëndeti Xi-në si “një udhëheqës të madh të një vendi të madh”, duke shtuar se të dy do të kenë “një marrëdhënie fantastike për një kohë të gjatë”.Duke qëndruar përballë Trumpit në tryezë, Xi tha se ishte e natyrshme që SHBA dhe Kina “të mos jenë gjithmonë në një mendje” dhe se është “normale që dy ekonomitë kryesore të botës të kenë herë pas here fërkime”.Dennis Wilder, ish-shef i analizave për Kinën në CIA, tha se “marrëveshjet taktike” hapin rrugën që sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, dhe homologu i tij kinez, He Lifeng, të shndërrojnë kuadrin tregtar në një marrëveshje gjithëpërfshirëse që mund të finalizohet gjatë vizitës së Trumpit në Kinë, ose ndoshta edhe më herët. Ai shtoi se të dyja palët mund të rivendosin masat ndëshkuese nëse nuk arrihet progres i dukshëm.Por ekspertë të tjerë për Kinën vlerësuan se Pekini ka dalë më i fituar nga negociatat.“Xi e sfidoi Trumpin dhe Trump u tërhoq,” tha Scott Kennedy, ekspert për Kinën në qendrën e studimeve CSIS. “Xi ka mësuar si ta menaxhojë Trumpin. Duke iu përgjigjur kërcënimeve të SHBA-së me kërcënime edhe më të mëdha… ka arritur ta detyrojë Uashingtonin të tërhiqet.”Tregjet e aksioneve amerikane dhe shumica e bursave aziatike ishin të qëndrueshme ose lehtësisht në rënie të enjten pas takimit. / FTKy është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
SHBA dhe Kina bien dakord për një armëpushim tregtar njëvjeçar pas takimit Trump–Xi Jinping
