Spartak Ngjela paralajmëron zhvillime të forta, si po përpiqen zyrtarët e akuzuar nga SPAK të sabotojnë proceset…

Avokati i njohur, Spartak Ngjela, një nga zërat më të drejtpërdrejtë në debatin publik për drejtësinë dhe luftën kundër korrupsionit, ka reaguar sërish për zhvillimet më të fundit që lidhen me hetimet e SPAK. Ai vë në dukje përpjekjet e zyrtarëve të akuzuar për korrupsion që, sipas tij, po kërkojnë të sabotojnë proceset penale përmes mediave dhe opinionit publik. Ngjela e quan këtë një “komedi” që po shfaqet para syve të shqiptarëve, ndërsa thekson se koha që po jetojmë do të mbahet mend si periudha e madhe e pastrimit antikorrupsion në Shqipëri. Në të njëjtën kohë, ai ndalet edhe në reflektime historike për qëndresën dhe lavdinë e shqiptarëve, duke e lidhur betejën e sotme për drejtësi me rrugën e gjatë të kombit drejt dinjitetit dhe shtetformimit. “Komedia vijon.  Të korruptuarit e lartë që janë nën akuzë penale në SPAK, kot mundohen me denoncimet në median e Shqipërisë për shkelje dhe arbitraritet në ligje për proceset penale që kanë filluar kundër tyre.  Por… Për aktivitetin e SPAK historia, do vijë një kohë që këtë institucion do ta quaja shpëtimtar të Shqipërisë.
Dhe në SPAK sot nuk ka mundësi të ndërhyjë asnjë shqiptar ose ndërkombëtar i fuqishëm.  A i keni parë të akuzuarit nën akuzë penale në SPAK? Janë pikërisht ata që, pasi e grabitën shoqërinë shqiptare, me forcën e paras të grabitur, flisnin në televizionet e Shqipërisë sikur të ishin jo vetëm zotërit e Shqipërisë, por edhe të Evropës. Dhe flisnin sikurse edhe po flasin, me një nivel shumë të ulët intelektual, dhe janë delirantë, sepse i gënjen mendja. Koha jonë sot, ka mbi dhjetë vjet që në historinë e Shqipërisë po hyn gradualisht për t’u quajtur – koha antikorrupsion dhe kundër krimit të organizuar. Dhe kjo kohë gjithashtu do të na mësojë që Shqipëria, para se të fillonte lufta antikorrupsion, ka qenë në shkallën e fundit të shpërbërjes së saj kombëtare  Madje reaksioni antishqiptar grek dhe serb po e prisnin nga dita në ditë..
Por ata asnjëherë nuk e kanë njohur historinë, dhe vetëm tani po e kuptojnë që Gadishulli Ilirik ka qenë territor i lavdishëm i Arbërisë Klasike dhe koha e solli dhe po e avit përditë tek shkëlqimi historik i Agronit, i Teutës dhe Gjergj Kastriot Skënderbeut; por edhe tek idetë brilante e gjithkombëtare të Rilindjes sonë Kombëtare dhe të gjotha figurat e mëdha që realisht i dhanë jetë të ndritur shpirtit të shqiptareve, i cili eci e po ecën në iluminimin e tij me ndriçimin e historisë, patriotizmit dhe ngritjen në lartësi historike të shqiptarisë, derisa kjo solli në vitin 2008 pavarësinë e Kosovës, e cila ka qenë heroika por edhe historia gjigante e shqiptarisë si mbijetesë historike në Gadishullin e saj Ilirik”, shprehet Ngjela.
Gjendja politike në vend
Në një tjetër analizë, Ngjela thekson se Shqipëria nuk ka nevojë për një politikë që funksionon si luftë për pushtet, por për individë me mendje të ndritur, me profesionalizëm dhe dashuri të vërtetë për kombin. Ai shpjegon se kriza e sotme politike lidhet me mungesën e mendimit të iluminuar dhe me lakminë e sëmurë për pushtet, që e ka kthyer vendin peng të instinkteve primitive të liderëve. Ai shkon më tej, duke e lidhur këtë gjendje me trashëgiminë e një mentaliteti autoritar të mbetur nga e kaluara, që sipas tij, vazhdon të manifestohet sot në formë të re – në frymën “jam unë, prandaj jeni edhe ju”. “Nuk është karriera politike si një luftë irracionale për pushtet, ajo që ne shqiptarëve na duhet sot. Ne sot kemi nevojë për një pushtet politik me individë që dinë të mendojnë, domethënë që të kenë mend dhe një intelekt profesional, me të cilin të realizojnë personalitetin e tyre përballë shoqërisë së vet dhe historisë. Por edhe me një dashuri absolute për Shqipërinë dhe për Kosovën. E dinë këta se çdo të thotë që sot në historinë e Evropës janë dy shtete shqiptare?
E dinë, por në Tiranë ende nuk po drejton shqiptaria. Kjo që po drejton nuk është shqiptari moderne e dy shteteve shqiptarë.  Sepse këtu sot, këta që po drejtojnë dhe që u duket se po bëjnë politikë, në të vërtetë po tregojnë se nuk kanë mend për politikën moderne.  Politikë moderne do të thotë dije e nivelit të lartë, gjykim me karakter zhvillues dhe mendim suprem për kombin tënd, sepse ty asgjë nuk të pranon historia, nese ti, si burrë shteti, nuk i ke dhënë asgjë vendit dhe shoqërisë tënde: domethënë Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kurse këta të “ndershëm” që po shoh unë dhe që mendojnë se po drejtojnë me drejtësi, janë në një gëzim patologjik që është krejtësisht i vendosur në lakminë e tyre.  Dhe lakmi në gjuhën shqipe, si fjalë shumë e bukur që është, do të thotë: dëshirë e madhe dhe e pangopur për të pasur vetë diçka e dikë që në thelb është një etje e pashuar që të çon në një synim.
Prandaj sot, unë konstatoj se Shqipëria ka rënë peng i politikanëve lakmitarë me mendje shumë të ngushtë, por shpesh me një synim të sëmurë e patologjik për individualitetin e pushtetit të tyre politik… Pse u ndodh kjo? Sepse e kanë pasionin për pushtet vetëm si instinkt dhe jo si perceptim ideor, por që, megjithatë, po i pranon opinioni publik i Shqipërisë me shpresën e vet për zhvillim, ndërsa këta në pushtet nuk po japin dot asgjë. Dhe pse u ndodh kjo? Sepse nuk kanë mendim të iluminuar politik që vjen nga politika e sotme moderne. Dhe këtu vjen e mbyllet i gjithë ky ekuacion që thotë: Mendja e mendjes sime që është pa mendim, ma rrit kaq shumë pasionin për pushtet, sa, me këtë pasion unë dua që t’i zhduk të gjithë kundërshtarët e mi, që janë më të ditur se unë. Ja ky ka qenë Enver Hoxha, sepse kështu ka qenë, e me këtë filozofi – edhe Ahmet Zogu.
Por na duhet të theksojmë që sot kjo filozofi është zbutur, sepse janë strukturat ndërkombëtare që e kanë ndaluar krimin e drejtpërdrejtë politik në zhdukjen e kundërshtarëve politik, por ende ne si shoqëri jemi në një enverizëm në formë indirekte, me shprehjen e brendshme: Jam unë dhe prandaj jeni edhe ju. Dhe sot këtë po duket se e ka pranuar e gjithë shoqëria shqiptare.  Jam unë, na thotë Rama, prandaj jeni edhe ju.  Dhe pikërisht këtu po vijon ende në Shqipëri sundimi shoqëror i kësaj drame…”, shprehet ndër të tjera Ngjela.