Një 28-vjeçar shqiptar është dënuar me gjashtë vite burg në Mbretërinë e Bashkuar. I arrestuari është Gerald Cera. Ai pretendoi në mënyrë të rreme se ishte babai i tetë fëmijëve shqiptarë. Kjo me qëllim që tu jepte shtetësinë britanike tetë fëmijëve shqiptarë. Daily Mail shkruan se mes shtatorit 2022 dhe gushtit 2024, ai ishte shfaqur si babai i tetë fëmijëvë, gjatë aplikimeve të tyre për pasaporta.
Cera kishte dorëzuar fotografi të tij duke mbajtur foshnjat, për të mbështetur aplikimet. Ai gjithashtu kishte ofruar dokumente personale, përfshirë pasaportën e tij të Mbretërisë së Bashkuar dhe certifikatën e natyralizimit. Pagesat për aplikimet ishin kryer me karta bankare. Në seancës për dënimin e tij, Gjykata e Kurorës së St Albans dëgjoi se mashtrimi përfshinte një shkallë gjithnjë e më të lartë planifikimi dhe sofistikimi me kalimin e kohës.
Krahas dënimit të tij me burg, Cera është privuar nga shtetësia e Mbretërisë së Bashkuar nga Ministria e Brendshme. Deputeti Alex Norris, Ministër për Sigurinë Kufitare dhe Azilin e përshëndeti dënimin duke thënë se dënime si ato të Cerës tregojnë se ata që përpiqen të shfrytëzojnë kufijtë e tyre do të sillen para drejtësisë.
Një juri më parë e shpalli atë fajtor pasi, u bind se ai ishte në dijeni se aplikimet ishin bërë duke e përmendur atë si babai edhe pse ai nuk ishte babai i asnjërit prej foshnjave dhe nuk kishte asnjë provë ADN-je. Një hetim për arrestimin e Cerës zbuloi se ai ishte pjesë e një komploti për të marrë pasaporta britanike për foshnjat që nuk kishin të drejtë të merrnin një të tillë.
U zbulua gjithashtu se 28-vjeçari ishte mik me Petrit Musën, i cili më parë u deklarua fajtor për pretendimin mashtrues se ishte babai i 13 fëmijëve të lindur nga nëna shqiptare në aplikimet për pasaportë britanike në fillim të këtij muaji. Cera u dënua gjithashtu për moszbatim të një njoftimi pasi refuzoi t’i jepte policisë kodet e telefonit dhe laptopit të tij pas arrestimit të tij në Aeroportin e Lutonit më 16 shkurt 2025.
“Ne nuk do të qëndrojmë duarkryq ndërsa bandat kriminale abuzojnë me sistemin tonë të imigracionit duke shfrytëzuar fëmijët për të fituar para të shpejta. Këto dënime tregojnë se ata që përpiqen të shfrytëzojnë kufijtë tanë do të sillen para drejtësisë, me ekipet tona të Zbatimit të Imigracionit që punojnë ditë e natë, duke bërë gjithçka që duhet, për të mbrojtur komunitetet tona nga dëmi.
Plani ynë për Ndryshim do t’u lejojë oficerëve të shkojnë edhe më tej, me Projektligjin tonë për Kufijtë që u jep fuqi të tipit kundër terrorizmit zbatuesve të ligjit për të zbatuar arrestimet e mëparshme të shkelësve të imigracionit.” tha Deputeti Alex Norris, Ministër për Sigurinë Kufitare dhe Azilin./
Pretendoi se ishte babai i 8 fëmijëve me qëllim që të fitonin shtetësinë britanike, dënohet me 6 vite burg shqiptari
