Romir Saraçi, gjatë diskutimit në një emision televiziv, ka komentuar hetimin e SPAK ndaj ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, duke theksuar se sjellja e kryeministrit Edi Rama tregon një distancim të qëllimshëm nga bashkëpunëtorët e tij të afërt.
‘Në rastin e zonjës Balluku, Rama nuk i bën asnjë ripostim, transmetim në faqet e veta, siç i bënte deri dje, dhe të njëjtën gjë e bëri edhe me Erion Veliajn. Për kujtesë, po sjell aktivitetin e famshëm të mbajtur në bashkinë e Tiranës ku u nderuar Ali Ahmeti, ku aty u retushua nga fotografia, Veliaj. Sot është e njëjta sjellje,’ tha Saraçi.Sipas tij, kjo sjellje tregon një prirje të Ramës për t’u distancuar gradualisht nga figurat kryesore të Partisë Socialiste që janë përfshirë në hetime apo janë nën presion publik.
‘Nga njëra anë, kemi Ballukun dhe Veliajn që i thurin lavde Edi Ramës, dhe nga ana tjetër kryeministrin që bën distancimin gradual. Edhe në rastin e Ballukut, duket se po përgatitet i njëjti fat si Erion Veliaj. Në mos me arrestim, se këtë nuk dimë ta themi askush nga ne këtu, por destinacioni politik duket i qartë që në një të ardhme edhe Balluku, mund të jetë në dyert e gjykatave,’ u shpreh ai.
Saraçi e interpretoi këtë zhvillim si një manovër politike të kryeministrit për të ruajtur kontrollin mbi proceset e drejtësisë ndaj zyrtarëve të Partisë Socialiste.
‘Unë e shoh më tepër si lëshim. Dosjet e zyrtarëve, ministrave dhe deputetëve me pushtet të PS-së, janë me kapicë në SPAK dhe Rama përcakton radhën e tyre. SPAK nuk do të kishte këllçe për të vepruar karshi Belinda Ballukut, pa lejen e Edi Ramës,’ përfundoi Romir Saraçi.
“Rama po distancohet nga bashkëpunëtorët e afërt të PS-së”, Saraçi: Një fat i ngjashëm me Veliajn e pret dhe Ballukun
