Dy raporte për Peleshin: Këshilli i Legjislacionit hap debat të ri

Përfaqësuesit e shumicës dhe ata të opozitës në Këshillin e Legjislacionit kanë dalë me dy raporte të ndryshme lidhur me kërkesën e demokratëve për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit.
Socialistët nuk i shohin si shkelje që çojnë deri në shkarkim pretendimet e demokratëve. Këta të fundit, në dokumentin e hartuar nga relatori i tyre, Ivi Kaso, rreshtojnë 5 shkelje që Niko Peleshi ka bërë në dy seancat plenare, ekzaktësisht të 16 dhe 18 shtatorit, çka sipas demokratëve e bën legjitime kërkesën e tyre për shkarkimin e kryeparlamentarit.
“Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Niko Peleshi, ka thirrur mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 16 shtator 2025, pa respektuar afatin e parashikuar nga Rregullorja e Kuvendit, përkatësisht si rregull 7 ditë përpara. Për rrjedhojë, kjo mbledhje, ashtu si edhe çdo vendimmarrje e saj, është e pavlefshme.
Kryetari i Kuvendit ka thirrur mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, si dhe ka përfshirë për shqyrtim dhe miratim projektvendime për disa ndryshime në Rregulloren e Kuvendit, duke mos respektuar afatin e parashikuar nga neni 83, pika 2 e Kushtetutës dhe neni 28, pika 4 e Rregullores së Kuvendit.
Kryetari i Kuvendit u ka hequr të drejtën deputetëve të Kuvendit për të diskutuar mbi përmbajtjen e projektvendimit, në kundërshtim me Kushtetutën, si dhe me Rregulloren e Kuvendit.
Kryetari i Kuvendit, në mënyrë të përsëritur, i ka mohuar Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të drejtën e fjalës për procedurë, në kundërshtim me Rregulloren.
Kryetari i Kuvendit, në kundërshtim flagrant me nenin 97 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe nenin 110 të Rregullores së Kuvendit, nuk ka mundësuar paraqitjen e programit politik dhe përbërjes së Këshillit të Ministrave nga Kryeministri përpara procesit të votimit.
Në këto kushte, Kryetari i Kuvendit, z. Niko Peleshi, është në kushtet e parashikuara nga Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit për shkarkimin nga kjo detyrë.“
Por socialistët nuk i shohin si shkelje që çojnë në shkarkimin e kryetarit të Kuvendit ato të relatuara nga demokratët. Në raportin e tij, relatori Damian Gjiknuri i referohet edhe vendimeve të mëparshme të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Strasburgut për të hedhur poshtë pretendimet e opozitës.
Deputetët e shumicës parlamentare vlerësojnë se Kryetari i Kuvendit, z. Niko Peleshi, në drejtimin e seancave plenare të datave 16 dhe 18 shtatorit, nuk ka kryer asnjë shkelje të parashikuar në ndonjë dispozitë të Kushtetutës apo të Rregullores së Kuvendit.
Seanca plenare e datës 16 shtator është thirrur në përputhje me Kushtetutën. Në seancën e datës 18 shtator nuk është Kryetari i Kuvendit që pengoi zhvillimin e debatit, por është situata në sallë që e bëri objektivisht të pamundur zhvillimin e tij.Zënia me dhunë e foltores së Kuvendit apo pengimi i marrjes së fjalës nga ana e deputetëve janë metoda që çojnë pikërisht në bllokimin e punës së Kuvendit.
Anëtarët e mazhorancës në Këshillin për Legjislacionin i propozojnë seancës plenare rrëzimin e kërkesës për shkarkimin e Kryetarit të Kuvendit, z. Niko Peleshi.
Këshilli i Legjislacionit ka vetëm rol këshillues, ndaj është seanca plenare e të enjtes që do të vendosë se për kë nga raportet do të votohet me shumicë votash. Mocioni për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit kërkon shumicë të thjeshtë prej 71 votash, por demokratët, të vetëdijshëm për fatin e kërkesës së tyre, e ndërmorën procedurën si një akt politik.