Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda i kanë hapur adresë false elektronike duke i përdorur emrin për t’i dërguar qytetarëve email-e kërcënuese. Konkretisht qytetarët kanë marrë email-i, ku njoftohen nga ‘Ilir Proda’ se janë vënë nën hetim nga shteti për krime kibernetike apo për vepra penale në fushën e narkotikëve si dhe u kërkohet të paraqiten në polici brenda 24 orëve.
Policia e Shtetit me një njoftim zyrtar ka informuar se e-mailet janë false dhe nuk kanë asnjë lidhje me Drejtorin e Përgjithshëm apo me ndonjë strukturë zyrtare të saj. Autoritetet kanë paralajmëruar qytetarët të mos përgjigjen, pasi e gjitha është një mashtrim dhe theksojnë se Policia nuk dërgon kurrë njoftime zyrtare nëpërmjet adresave elektronike dhe se asnjë strukturë policore nuk i kërkon qytetarëve të paraqiten në komisariat pa pasur një thirrje zyrtare të firmosur.
Njoftimi i policisë:
Informojmë qytetarët se së fundi, janë konstatuar disa raste të shtetasve të paidentifikuar që kanë krijuar adresë elektronike të rremë (email), me kredenciale të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, dhe nëpërmjet saj, janë prezantuar si struktura për Hetimin e Krimeve Kibernetike.
Me këtë adrese, qytetarëve iu janë dërguar mesazhe elektronike me përmbajtje kërcënuese, duke i njoftuar se janë në hetim për krime kibernetike ose vepra penale në fushën e narkotikëve, si dhe duke iu kërkuar që të paraqiten brenda 24 orëve, në polici.
Informojmë se emailet janë false dhe nuk kanë asnjë lidhje me Policinë e Shtetit apo me ndonjë strukturë zyrtare të saj.
-Qytetarët duhet të kenë parasysh:• Policia e Shtetit nuk dërgon kurrë njoftime zyrtare për hetime nëpërmjet emailit.• Asnjë strukturë policore nuk kërkon që qytetarët të paraqiten në polici, pa një thirrje zyrtare të firmosur dhe të protokolluar.• Qëllimi i këtyre mesazheve është mashtrimi dhe përhapja e frikës tek qytetarët.
Policia e Shtetit iu bën thirrje qytetarëve që të mos iu përgjigjen dhe të mos shpërndajnë emaile me përmbajte të tillë.
Gjithashtu, informojmë se rasti është në hetim nga Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike, me qëllim identifikimin dhe ndëshkimin e autorëve të kësaj veprimtarie kriminale.
Ilir Prodës i hapin adresë false/ Qyetarët marrin mesazhe kërcënuese në emër të tij: Do arrestoheni menjëherë…
