Gazetari Enton Abilekaj, i ftuar në një emision televiziv, u shpreh se zhvillimet e fundit me hetimet ndaj zyrtarëve të lartë, përfshirë Erion Veliajn dhe Belinda Ballukun, tregojnë se kjo qeveri ka humbur plotësisht aftësinë dhe legjitimitetin për të qeverisur.
Sipas Abilekajt, akuzat për korrupsion që kanë përfshirë rrethin më të ngushtë të kryeministrit Rama janë prova se sistemi i ngritur prej tij po shembet dhe se mazhoranca ka arritur fundin politik dhe moral.
Ai theksoi se Edi Rama ka ndërtuar një mekanizëm korrupsioni që tani po kthehet kundër vetë njerëzve të tij.
Pjesë nga deklarata;
Dy shfaqje që tregojnë që kjo qeveri nuk e ka më mundësinë të vazhdojë të qeverisë. Për çështjet Balluku dhe Veliaj do të flasim pas së premtes. Me gjetjen dhe me akuzat që janë hedhur ndaj kësaj qeverie, me implikimin e të gjithë njerëzve afër Ramës dhe perceptimin e nivelit të korrupsionit në vend, mendoj që tashmë nuk ka më legjitimitet kjo qeverisje dhe duhet gjetur një mënyrë që kjo qeveri të largohet. Pavarësisht se ka vetëm një muaj e gjysmë që ka filluar punë, është e qartë që nuk mund të ngrejë një shtet që e ka çuar në këtë pikë.
Nëse shihni krahun e Ramës sot, nuk ka më asnjë njeri nga ata që e nisën në 2013, asnjë nga ata që i rikrijoi në 2018–2019 kur ndryshoi qeverinë. Të gjithë janë ose të larguar, ose në prokurori, ose të arratisur, dhe i vetmi njeri që nuk ka ngrënë fruta e perime qenka Rama. Mendoj që morali i kësaj qeverie ka marrë fund dhe nuk mund të vazhdojë më, sepse nuk besoj të ketë më besimin e shqiptarëve dhe legjitimitetin për të vazhduar, pavarësisht se SPAK nuk ka prekur autorin e vërtetë të korrupsionit të kësaj qeverie, që është Edi Rama.
Ne kemi një bazë morale të një qeverie që nuk mund të ekzistojë më, pavarësisht akuzave e kush del fajtor. Tashmë jemi të bindur që Rama ka ndërtuar një mekanizëm korrupsioni galopant që habit çdo njeri.
Ata po ndëshkohen me humorin e Ramës. Ai po u thotë: “Ju vërtet i bëtë punët e mia, por ju do të dënoheni për punët tuaja që nuk më thatë, ose unë bëra sikur nuk ju dëgjova.” Kjo ndodh me Beqajn, inceneratorët, Veliajn, për të cilin ne nuk e prisnim që do të shkonte një zëvendëskryeministre. Besoj është e njëjta skemë. Kjo do të ndodhë edhe me Ballukun të premten, ku, me aq informacion sa kemi, është një çështje krejt minore.
“Pas Veliajt dhe Balluku në burg”, Abilekaj paralajmëron: Pas së premtes, qeveria Rama s’mund të qëndrojë më në këmbë
