Qeveria rikthen kompensimin e TVSH-së në bujqësi nga 2026-ta, do të jetë 10%

Brenda paketës fiskale për vitin 2026 do të jetë edhe rishikimi i ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, me fokus korrigjimi i skemës së rimbursimit në bujqësi. 
Ministria e Financave ka parashikuar që fermeri të kompensohet me një normë prej 10% për tatimin mbi vlerën e shtuar. Aktualisht kjo normë tatimore është 0%. 
Kompensimi prej 10% sipas Ministrisë së Financave do të jepet direkt në llogarinë e fermerit, dhe kostoja në një vit parashikohet të arrijë në 1.5 miliardë lekë ose gati 15 milionë euro. 
Pjesë e ndryshimeve tatimore që do të nisin të zbatohen nga viti 2026 do të jetë edhe paketa për “Paqen fiskale”.  
Ministria e Financave ka përcaktuar që të gjitha borxhet e papaguara të para 10-viteve do të fshihen kundrejt pagesës së një përqindjeje të caktuar. Procesi ligjor i fshirjes së detyrimeve do të zbatohet gjatë vitit 2026, thotë Ministria e Financave. 
Pak javë më parë përmes një informacioni zyrtar nga Drejtoria e Tatimeve, Report TV mësoi se përfitojnë të paktën 213 mijë tatimpagues, që rezultojnë me detyrime tatimore të papaguara.  
Report TV mëson se janë 355 milionë euro detyrime me vjetërsi mbi 10-vjeçare, të cilat praktikisht do të fshihen përmes kësaj paqeje fiskale, duke i çliruar bizneset nga statusi debitor. 
Përfituesit e dytë më të mëdhenj do të jenë ata që kanë borxhe me vjetërsi deri 5-vjeçare. Për këto subjekte parashikohet fshirje e gjobave dhe e kamatave, por pagim i detyrimit. 
Deri në fund të qershorit, borxhi me këtë vjetërsi ishte 62,9 miliardë lekë ose gati 630 milionë euro, bashkë me kamatëvonesat. 
Kategoria e tretë janë subjektet me borxhe nga 5-10 vjet. Kush realizon pagesën e detyrimit tatimor (pra të tatimit të papaguar) me 1 këst, merr zbritje 50% për gjobat e kamatat, ndërsa kush i paguan në disa pjesë merr ulje 25%. 
Borxhet me këtë vjetërsi arrijnë në vlerën 72.7 miliardë lekë ose 727 milionë euro.