Dionis Sota, i cili do të garojë si kandidatë i pavarur për të drejtuar Bashkinë e Vlorës, ndërsa mbështetet nga PD e Sali Berishës dhe parti të tjera opozitare, ka deklaruar se ka qenë zgjidhje e tija që të kandidonte si i pavarur në zgjedhjet e pjesshme lokale të 9 nëntorit.
“Unë kam qenë i qartë që do kandidoja i pavarur. Falenderoj të gjitha forcat politike duke nisur nga ‘Shqipëria Bëhet’ dhe PD që kanë besuar në këtë lloj formule për zgjedhjet e pjesshme. Kjo ishte një zgjedhje e qartë që në fillim që kështu do ishte dhe kështu u bë.
Të gjitha partitë jo vetëm PD e kanë ofruar mbështetjen e tyre, por ka qenë zgjidhja ime që të dal si i pavarur dhe kjo është nismë e sinqertë dhe e drejtëpërdrejtë.”, tha ai në emisionin ‘Frontline Interview’ në Report Tv.
Një koment e pati edhe lidhur me formularin e vetëdeklarimit të tij dorëzuar në KQZ, ku ka deklaruar se niveli më i lartë i arsimit të tij është arsim i mesëm, ndërsa figuron edhe me dy emra.
Ai tha se dëshirë e tij ka qenë që të vazhdonte arsimin e lartë për juridik, por duke qenë se diplomat në atë kohë bliheshin, vendosi që t’i përkushtohej punës.
“Unë jam rritur në atë kohë kur diplomat bliheshin dhe s’kam pranuar që ti futem asaj valle, e kam nisur shkollën dhe e lashë. Kisha dëshirë që të vijoja juridikun, por prej punës se bëra. Bëj kurse online.
Për financim të fushatës, unë kam bërë publike llogarinë bankare, ky është detyrim ligjor, çdo parti e ka detyrim, por llogaritë e partive janë të deklaruara dhe unë jam i pavarur dhe jam i detyruar që ta shpallë këtë llogari bankare dhe shumë miq familjarë brenda dhe jashtë vendit kanë dashur që të kontribuojnë’, shtoi Sota.
Kandidati i PD për Bashkinë e Vlorës: S’kam arsim të lartë, në atë kohë diplomat bliheshin! Bëj kurse online.
