Një pjesë e ndërtesës historike të njohur si “Pallati i Shqipërisë” në qendër të Beogradit është vënë në shitje. Sipas raportimeve të revistës Vreme, shtatë katet e këtij rrokaqielli – i cili njihet si ndërtesa e parë e tillë në kryeqytetin serb – janë ofruar në treg me një çmim prej 10 milionë eurosh, ose rreth 3,000 euro për metër katror.
Shitja e kësaj prone vjen pas një sërë transaksionesh që kanë përfshirë simbole të njohura të Beogradit, si Geneks, Hotel Jugoslavija, Stara Šečerana dhe BIGZ. Tashmë, radha ka ardhur te një tjetër ikonë e qytetit – Pallati i Shqipërisë.
Agjencia e Sigurimit të Depozitave, në cilësinë e administratores së falimentimit të Beogradska banka ad Beograd dhe Univerzal banka ad Beograd, ka njoftuar se do të shesë këtë pjesë të ndërtesës me metodën e mbledhjes publike të ofertave.
Hapësira që del në shitje ka një sipërfaqe prej 3,324 metrash katrorë, ndërsa për të marrë pjesë në tender kërkohet një depozitë prej 1.5 milionë eurosh.
