Nga Julia Vrapi
Cirku Kombëtar një institucion artistik, i cili është përballur me probleme të ndryshme përgjatë aktivitetit të tij, por sipas artistëve Ministria e Kulturës nuk mund të heshtë përballë degradimit institucional të një trupe kombëtare. Prej disa vitesh Cirku Kombëtar nuk ka më as çadrën e tij për shfaqje, që po vijojnë këtë sezon artistik në skena të teatrit në Tiranë. Artistë të ndryshëm në reagimet e tyre kanë sjellë në vëmendje jo vetëm kushtet e punës që sipas tyre janë larg asaj që duhen për një institucion kombëtar arti, por dhe të tjera probleme. Një formular pyetësor nga institucioni për punonjësit e Cirkut Kombëtar ka sjellë këto ditë reagimin e disa prej artistëve. Edhe pse në formular thuhet se qëllimi është për të kuptuar përvojën në punë, të identifikohet nevoja për përmirësim apo dhe sigurimi i një ambienti pune të shëndetshëm e pozitiv, artistët shprehen se kjo degradon profilin e institucionit me 65 vite histori.
Artisti Julian Kazazi thotë se Cirku Kombëtar nuk është një repart eksperimental. “Shpreh publikisht refuzimin tim për të plotësuar këtë formularë poshtërues, që ul dinjitetin e artistëve dhe degradon profilin e institucionit tonë kombëtar me 65 vite histori. Cirku Kombëtar nuk është një repart eksperimental i këtyre drejtuesve të përkohshme, por një institucion i trashëgimisë artistike kombëtare. Artistët nuk mund të trajtohen me metoda amatore dhe anketa psikologjike të importuara nga praktika joartistike, që nuk lidhen me artin, repertorin, vizionin, publikun apo misionin kombëtar të këtij institucioni”, thotë artisti Kazazi në reagimin e tij të bërë publik.
Artisti Julian Kazazi që dhe më parë ka folur për problemet me të cilat përballet ky institucion artistik prej disa vitesh, e quan këtë formular pa bazë ligjore. Ndër të tjera sipas tij arti nuk matet me anketa, por me vizion dhe me punë. “Një formular i tillë, pa bazë ligjore, pa protokoll institucional dhe pa miratim nga organet artistike përkatëse, është një akt degradues që cënon integritetin dhe dinjitetin e trupës. Ky veprim nuk ka as vlerë dhe as moral institucional, përkundrazi, është një mjet presioni dhe intimidimi, që turpëron traditën e institucionit dhe fyen artistët që e mbajnë gjallë. Artistët nuk frikësohen. Arti nuk matet me fletë/anketa, por me vizion, me punë, me repertor, me publik dhe me përgjegjësi”, thotë Kazazi.
Ministria nuk mund të heshtë
Prej 13 vitesh Julian Kazazi vijon aktivitetin si artist profesionist i punësuar pranë Cirkut Kombëtar në Tiranë, ndërkohë që tani është edhe president i Sindikatës së Pavarur të Artit, Kulturës dhe Medias të Shqipërisë. Ai thotë se përballë problemeve me të cilat përballen artistët, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit nuk duhet të heshtë. “Nëse drejtimi aktual i institucionit nuk është në gjendje të prodhojë vizion, sezon artistik, strategji kombëtare dhe kushte dinjitoze pune, atëherë problemi nuk është tek artistët por problemi është tek drejtimi. Në këtë pikë, i bëj thirrje Ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, z. Blendi Gonxhja, që të reagojë publikisht dhe të distancohet menjëherë nga praktika të tilla poshtëruese. Ministria nuk mund të heshtë përballë degradimit moral dhe institucional të një trupe kombëtare.
Heshtja do të nënkuptonte tolerim”, vijon Kazazi. Në gjendjen që ndodhet sot Cirku Kombëtar, artisti Julian Kazazi thotë se institucioni artistik ka nevojë për kushte pune. Ai thotë se institucionet shtetërore duhet të mbrojnë dinjitetin e artistëve. “Cirku ka nevojë për, kushte pune, hapësira profesionale dhe vizion, jo për eksperimente amatore mbi njerëzit që i shërbejnë artit. Unë refuzoj ta nënshkruaj këtë formular. Dhe do të mbroj deri në fund dinjitetin e profesionit tim dhe institucionit ku shërbej”, thotë më tej artisti Julian Kazazi, i cili prej 13 vitesh vazhdon aktivitetin si artist profesionist i punësuar pranë Cirkut Kombëtar.
Artistët kanë nevojë për kushtet e punës
Reagimit të artistit Julian Kazazi i bashkohet dhe një tjetër artiste e njohur në aktivitetin e saj artistik Eris Hoxha Dakli, e cila thotë se ka refuzuar të plotësojë formularin pyetësor për punonjësit. Mjeshtre pranë trupës së Cirkut Kombëtar dhe kryetare e Sindikatës, Eris Hoxha Dakli gjithashtu i bën thirrje Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit që të reagojë, pasi sipas saj është një formular që nuk ka vlerë institucionale. “Si mjeshtre e trupës së Cirkut Kombëtar dhe Kryetare e Sindikatës, shpreh shqetësimin tim të thellë për mënyrën poshtëruese dhe joprofesionale me të cilën po trajtohemi si artistë. Unë refuzova ta firmos këtë formular, sepse nuk ka as bazë ligjore, as vlerë institucionale dhe asnjë lidhje me misionin tonë artistik.
Artistët kanë nevojë për respekt, kushtet e punës, siguri, repertor dhe vizion, jo për formular presioni që synojnë nënshtrimin e zërit të lirë. I bëj thirrje ministrisë që të reagojë dhe të vendosë standard, sepse një institucion kombëtar nuk mund të drejtohet me metoda intimidimi dhe pseudo-psikologjike, por me transparencë, plan artistik dhe përgjegjësi publike. Ne do të mbrojmë dinjitetin e artistit dhe misionin e cirkut”, shprehet Eris Hoxha Dakli mjeshtre e trupës së Cirkut Kombëtar. Cirku Kombëtar shqiptar është një institucion artistik me traditë të gjatë në vend, që ndër vite ka luajtur një rol të rëndësishëm në pasurimin e kulturës kombëtare, por sot kur nuk ka më as çadrën për shfaqje, artistët në reagimet e tyre i janë drejtuar herë pas here Ministrisë së Kulturës për zgjidhjen e problemeve me të cilat përballen në aktivitetin artistik, që sipas tyre nuk kanë gjetur zgjidhje.
Artistët: Ministria e Kulturës nuk mund të heshtë përballë degradimit institucional të një trupe kombëtare
