Vonesat në zbatimin e projekteve çojnë borxhin e nënshkruar të patërhequr në 2.2 mld euro

Rritja e fortë e borxhit të pa-tërhequr deri në tremujorin e tretë të 2025-s paralajmëron se cikli i huamarrjes po ecën më shpejt se aftësia për zbatim e saj.Borxhi i nënshkruar i pa-tërhequr arriti në 2.2 miliardë euro në fund të 9 mujorit 2025, duke u rritur me 56 për qind në krahasim me fundin e vitit 2024, tregojnë të dhënat nga Ministria e Financave. Ky është një rekord historik për ketë tregues.“Borxhi i nënshkruar i “pa-tërhequr”, përfaqëson atë pjesë të huave dhe kredive të nënshkruara nga qeveria shqiptare me huadhënës ndërkombëtarë, por që ende nuk janë disbursuar, pra fondet janë të kontraktuara por nuk janë tërhequr në arkën e shtetit.Pas vitit 2020 borxhi i pa- tërhequr nis të rritet sërish, duke arritur në 845 milionë euro në vitin 2021, në mbi 1.1 miliardë euro në 2023 dhe rreth 2,2 miliardë euro në 2025. Kjo ecuri tregon se projektet e reja të huamarrjes ndërkombëtare janë nënshkruar dhe kanë vështirësi të zbatohenRritja e borxhit të pa-tërhequr tregon përqendrim të madh të projekteve të reja në fazë fillestare, që ende nuk kanë hyrë në zbatim praktik. Në aspekt fiskal, ky tregues pasqyron një rezervë potenciale të financimeve të gatshme për investime publike në vitet në vijim, por njëkohësisht është tregues i mungesës së ekzekutimit të projekteve për shkak të burokracive procedurale apo vonesave në përgatitjen teknike të tyre.Rritja me 56% ose 788 milionë euro vetëm në vitin 2025 tregon për rrezik ne efikasitetin e përdorimit të borxhit publik dhe ndikimin real në ekonomi.Një nga arsyet kryesore lidhet me proceset e gjata burokratike në fazën e zbatimit të projekteve. Edhe pse marrëveshjet e huasë nënshkruhen me afate dhe kushte të përcaktuara, përfshirja e shumë institucioneve shqiptare në procesin e miratimit, prokurimit dhe implementimit bën që disbursimet të vonohen. Çdo ndryshim teknik në projekt, si përzgjedhja e kompanive zbatuese, çështjet e pronësisë apo ndryshimet në kostot e materialeve, mund të shtyjë afatet për muaj të tërë.Një tjetër dobësia institucionale dhe mungesa e kapaciteteve teknike në administratën publike për të përgatitur projektet sipas standardeve që kërkojnë huadhënësit ndërkombëtarë shkakton vonesa. Këto institucione shpesh kërkojnë dokumentacion të detajuar, analiza ndikimi, tenderim transparent dhe plane monitorimi, të cilat nuk realizohen në kohë.Procedurat e huadhënësve ndërkombëtarë po bëhen gjithnjë e më të rrepta dhe kërkojnë verifikim të çdo faze para disbursimit të fondeve./ B.HoxhaBurimi: Ministria e FinancaveKy është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.