Një debat banal për një picë me proshutë u bë molla e sherrit mes autorit të arrestuar, Filip Shehu dhe kolegut të tij të punës, i cili u vra me thikë, Indrit Ismaillari.
Burime bëjnë me dije se te lokali një klient ka porositur një picë me proshutë.
Autori Shehu i cili kishte vetëm tre muaj si i punësuar në këtë biznes si ndihmës picier ka marrë një produkt ushqimor, por Ismaillari i ka thënë që të përdorë një produkt tjetër.
Referuar dëshmisë së autorit të prangosur, viktima në këtë moment e ka sharë dhe menjëherë Shehu ka marrë një thikë te tavolina dhe e ka goditur disa herë.
Dëshmia e tij përputhet edhe me pamjet filmike të sekuestruara nga blutë, ku viktima pasi shkon në frigorifer për të marrë një proshutë tjetër, ndërkohë autori merr thikën dhe e godet tre herë, një goditje në qafë dhe dy herë në pjesën e barkut.
Janë marrë dëshmitë edhe të stafit tjetër të lokalit që kanë thënë se nuk kishin afrimitet me autorin pasi ishte i heshtur dhe i distancuar nga të tjerët.
43-vjeçari Shehu jetonte vetëm dhe rezulton i proceduar dhe më herët për posedim të armëve të ftohta./vizionplus.tv
